Nesër kundër Islandës/ Kombëtarja mbledh forcat pas disfatës me Izraelin

26/09/2022 20:00

Kuqezinjtë janë gati për ndeshjen me Islandën e fundit kjo për sa i përket këtij edicioni të Ligës së Kombeve. objektivi mbetet po i njëjti si përpara ndeshjes me Izraelin, por tashmë do të na duhet të sigurojmë vendin e dytë nëse ja dalim mbanë të marrim fitoren mbrërmjen e së martës në stadiumin “Air Albania”.

Megjithatë ajo që nuk dihet është gjendja psikologjike dhe se si do të reagojë ekipi pas goditjes së marrë nga humbja në Tel Aviv e njëkohësisht nga presioni i madh i kritikave të shumta ndaj tyre.

I paqartë është shfaqur në konferencën përpara kësaj ndeshjeje edhe vetë trajneri Eddoardo Reja.

“Disa ndryshime do të jetë me siguri sepse bëhet fjalë ndeshje brenda tre ditësh. Shpresoj t’i kem të gjithë në dispozicion, janë disa lojtarë që në klube kanë luajtur pak dhe në situata të tilla ndihen probleme.Ndaj Islandës duhet të jemi sa më në formë dhe të tregojmë sa vlejmë në karakter. Kur humbet një ndeshje duhet të reagosh, të jesh i inatosur, kjo për mua është e rëndësishme. Ndeshjen e parë që mora skuadrën e luajtëm Islandën dhe e kam fituar, ndeshjen fundit e barazuam. Luajtëm mirë, mund të fitojmë.”- tha trajneri i kombëtares Eddoardo Reja.

Me një lloj “mea kulpa” sulmuesi Sokol Cikalleshi i ka kërkuar të gjithë sportëdashësve se skuadra ka nevojë për ta, për të kaluar këtë moment të vështirë.

“Sa mbaroj ndeshja në Izrael ishim të shkatërruar emocionalisht, bisedat vazhdojnë ende për atë që ndodhi. Nuk mund të drejtojmë gishtin te një lojtar në veçanti, gabimet ndodhin në futboll por të mos na ndodhin vetëm ne. Ne të “vjetrit” duhet të jemi mbështetës për të gjithë, të jemi dashamirës. Kombëtarja është krenari dhe duhet mbështetur, ne do të bëjmë më të mirën. Në mos Cikalleshi, dikush tjetër. Kombëtarja i ka dhënë shumë Cikalleshit dhe të tentojmë ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë”.- tha Sokol Cikalleshi.

Kjo do të jetë edhe ndeshja e fundit nën kontratë e trajnerit Edi Reja pasi në muajin nëntor i përfundo kontrata aktuale, por e ardhmja nuk është fare në mendimet e tij.

“Unë mendoj vetëm për nesër me Islandën dhe më pas ka kohë për të menduar, Zoti e di çfarë do të ndodhë në të ardhmen”- tha Reja.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Islandës do të luhet mbrëmjen e së martës në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania” dhe do të transmetohet në Digitalb.

Top Channel