Muzeu Arkeologjik i Durrësit mbyll dyert, do t’i nënshtrohet rikonstruksionit pas dëmeve nga tërmeti

26/09/2022 17:40

Muzeu Arkeologjik i Durrësit do të mbyllë dyert për t’iu nënshtruar rikonstruksionit të plotë, pas dëmeve nga tërmeti.

Qendra Muzeore Durrës  lajmëroi të hënën se Muzeu Arkeologjik do të mbyllet mbrëmjen e  datës 27 shtator, ora 19.00, dhe do të qëndrojë i mbyllur deri në tetorin e vitit të ardhshëm.

Muzeu do t’i nënshtrohet një procesi rinovimi dhe transformimi, falë mbështetjes nga Eu4Culture.

Ndërhyrja synon t’i japë një pamje, funksion dhe vizion krejt të ri muzeut më të madh arkeologjik në vend.

Rikonstruksioni do të kthejë në të vizitueshëm edhe katin e dytë të kësaj godine muzeore që mban mijëra objekte dëshmi të qytetërimit tonë, që nga antikiteti dhe në faza të tjera të historisë së qytetit dhe zonës përreth.

Gjatë këtij viti, muzeu është vizituar nga mbi 12 mijë persona, vendas e të huaj, si dhe shumë delegacione diplomatike.

Top Channel