Nju Jorku s`ka më vend për emigrantët: Do i mbajmë në tenda!

24/09/2022 12:46

Fushata e guvernatorëve republikanë për të ndryshuar politikat federale të emigracionit po sjell disa pasoja të paparashikuara në Nju Jork, ku kryetari i bashkisë u detyrua të pranonte se nuk kanë më vend për emigrantët e derguar me autobusë në qytet, ndaj po mendojnë tani të ngrenë disa tenda të mëdha me përmasa hangarësh për t`i strehuar.

Tendat janë disa nga opsionet e parashtruara që përfshijnë nga anijet kruaziera e deri tek kampet verore. 13 mijë emigrantët e dërguar nga qytetet kufitare të Teksasit dhe Arizonas duket po sfidojnë kapacitetet e qytetit, duke i vendosur zyrtarët e tij në vështirësi.

“Kjo nuk është një krizë strehimi e zakonshme, por një krizë humanitare që kërkon një përqasje tjetër. Sistemi masiv i qendrave të strehimit është mbingarkuar me akomodimin e prurjeve të papritura të emigrantëve që kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.”

Adams sqaroi se qyteti i Nju Jorkut ka hapur 23 qendra emergjence dhe po shqyrton hapjen e 38 të tjerave, për të strehuar njerëzit e sjellë atje që nga muaji maj.

Qyteti çeli rishtazi edhe një qendër të re përpunimi me kosto prej disa milionë dollarësh, për të ndihmuar të sapoardhurit që të rivendosen me shpejtësi. Aktivistët për të pastrehët ende nuk dinë sesi të reagojnë, pasi sic thonë, nuk kanë detaje të mjaftueshme për planin e autoriteteve që të krijojnë një opinion.

Top Channel