Fshati fatkeq spanjoll që do të shkatërrohet për të tretën herë (fotot)

24/09/2022 18:50
Lalo Aracil para kishes se shekullit te 12te te shkaterruar nga trajnimet ushtarake

Kisha e gurtë e Santo Domingo de Guzmán kishte qëndruar për rreth 1,000 vjet para se të dorëzohej ndaj vrimave të plumbave që kishin mbushur muret e saj.

Por tashmë Fraguas, fshati pranë parkut natyror Sierra Norte, rreth 90 minuta në verilindje të Madrid, pritet të marrë çmimin famëkeq e të padëshiruar si fshati spanjoll që është shkatërruar tre herë.

Vdekja e tij e parë erdhi në fund të viteve1960-të, kur u shpronësua nga regjimi i Franco-s për t’i lënë hapësirë një projekti të gjerë ripyllëzimi. E dyta ishte kur vendi i kthye në një kamp stërvitjeje të ushtrisë, të cilët hidhnin shtëpitë në erë dhe shponin vrima të thella plumbash në muret e kishave.

Vdekja e tretë e Fraguas po afron teksa qeveria rajonale e Castilla-La Mancha përgatitet të ndalojë përpjekjet e ripopullimit të vendit të nisura nëntë vjet më parë, kur një grup të rinjsh shpresonin të krijonin një mënyrë më të rinovueshme jetese në fshatin e braktisur, të pushtuar nga bimësia e egër.

Në qershor një gjykatë vendase shpalli fajtorë gjashtë anëtarë të komunitetit për ‘zaptim të jashtëligjshëm’ të vendit dhe shkelje të rregullave të territorit, madje ata janë gjobitur me €110,000 për të mbuluar kostot e shkatërrimit të shtëpive ku ata jetonin e që kishin rinovuar. Nëse nuk paguajnë paratë gjashtëshja do të dërgohen në burg për dy vjet e tre muaj.

Lalo Aracil, një prej të dënuarve, megjithse i lodhur e ezauruar nga çështja, mbetej sfidues teksa rri ulur në divanin e shtëpisë komunale 200-vjeçare, dhe shpjegon idenë e iniciativës së tyre.

Fraguas është një projekt i bazuar në vetëmjaftueshmërinë e ushqimit dhe energjisë si dhe menaxhimit kolektiv të burimeve”, thotë 37 vjeçari nga Madrid.

“Ne mendonim se ky do të ishte një vend i mirë pasi është depopulluar dhe po shkonte dëm.”

As Aracil dhe as miqtë e tij nuk kanë paratë për të paguar gjobën e gjykatës, për të cilën thonë se është ndëshkuese dhe e ekzagjeruar.

Aracil akuzon autoritetet rajonale për standarde të dyfishta, duke theksuar se Fraguas është brenda një parku natyror, siç janë dhe 40 fshatra të tjera.

“Këtu ka shumë zona me vlerë të lartë mjedisore, kryesisht me monokulturën e pishave. Kodrat janë punuar në tarraca duke u kthyer në pyll pishash. Këtu lejohet çdo aktivitetet si gjueti, prerje drush apo kullotje bagëtish, vetëm nuk lejohet të jetosh. Këtu lejojnë më duket edhe të shpërthesh eksploziv, kjo është paradoksale, shokuese”.

Grupi thotë se ata po “bëhen shembull” nga autoritetet dhe shtojnë se po bëjnë pjesën e tyre kundër depopullimit të fshatrave.

Qeveria socialiste e Spanjës ka krijuar një ministri për t’u kujdesur për zonat rurale, por shumë thonë se veprimi për çeshtjen nuk po ndodh.

Javën e kaluar grupi kundër shpopullimit të zonave rurale España vaciada ka nisur një seri protestash në mbrojtje të atyre që nuk jetojnë në qytete.

Grupi i vendosur në Fraguas prodhonte e shiste birrë e reçel, kishte instaluar panele diellore, e mbillte kunguj e domate. Ata kishin spastruar një zonë për t’u mbrojtur nga zjarret që kanë goditur Spanjën vitet e fundit.

Të rinjtë gjithashtu kujdeseshin për një varrezë të vjetër që ende vizitohej nga disa banorë, të cilet thonë se janë dëbuar pa të drejtë nga fshati i tyre gjysmë shekulli më parë.

Ish-rezidentët e Fraguas, të cilët shitën pronat e tyre me cmime të ulëta te qeveria, e kanë mbështetur ripopullimin dhe janë të lumtur të shikojnë përsëri jetë në vendin ku janë rritur.

E njëjta ndjesi shprehet dhe nga grupi vendas ‘Ekologët në Veprim’ të cilët u dhanë atyre një çmim tre vjet më parë duke i vlerësuar për “promovim të zhvillimit rural në një fshat të shpronësuar kundër dëshirës së tij”, si dhe për të qenit “shembull i organizimit të një komuniteti”.

Megjithë presionin e qeverisë, Aracil thotë se çfarëdo që të ndodhë me Fraguas nuk ka ndërmend të kthehet në kryeqytet.

“Do të shkojmë në vende të tjera rurale nëse duhet, por duam të besojmë se mund të qëndrojmë këtu. Kemi luftuar disa vjet për këtë dhe ata nuk na kanë përzënë akoma, ndoshta po bëjmë gjënë e duhur”. /TheGuardian, përgatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
1/3
Sergio Velasco (majtas) e Lalo Aracil ne shtepine komunale 200 vjecare

Top Channel