Mancini në telashe para Anglisë, mungojnë të gjithë sulmuesit e Europianit

23/09/2022 18:58

Italia do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme për t’u përballur me Anglinë në një klasike të futbollit që do të luhet në një stadium mitik si “San Siro” në Milano.

Më shumë se një vit më parë, dy skuadrat u përballën në finalen e Kampionatit Europian në “Wembley”, aty ku të kaltrit u shpallën edhe kampionë të kontinentit, megjithatë në prag të sfidës së sotme, Roberto Mancini do të duhet të bëjë pa shumë prej futbollistëve që kishte në dispozicion në korrikun e vitit të kaluar.

Kështu në mbrojtje, përveç Giorgio Chiellinit që e ka mbyllur kapitullin me kombëtaren, do të mungojnë edhe dy anësorët, Alessandro Florenzi e Leonardo Spinazzola, të cilët janë të dëmtuar dhe kanë lënë grumbullimin.

Në mesfushë mungojnë Manuel Locatelli e Marco Verratti, të dëmtuar, teksa nuk ia dolën të vihen në dispozicion të trajnerit as Lorenzo Pellegrini e Sandro Tonali, të cilët u ftuan për këtë takim, por u larguan sërish pasi ishin të dëmtuar.

Edhe më të shumta janë mungesat në sulm, pasi nuk është në dispozicion të Mancinit asnjë prej atyre që ishin përzgjedhur për të përfaqësuar Italinë në Euro 2020. Kështu Berardi e Chiesa janë të dëmtuar, ndërsa Insigne mungon për probleme familjare dhe Immobile u largua nga grumbullimi për shkak dëmtimi.

Po ashtu Mancini nuk u dërgoi ftesë as emrave si Bernardeschi, Belotti, Zaniolo e Zacagni, ndaj do të duhet t’u besojë emrave të rinj si Scamacca, Raspadori, Gnonto, Espozito, etj.

Formacioni i mundshëm i Italisë: Donnarumma; Di Lorenzo, Bonucci, Bastoni, Emerson Pamieri; Barella, Jorginho, Pobega; Gabbiadini, Scamacca, Raspadori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA