Raporti: Riciklimi i plastikës në Turqi po dëmton punonjësit dhe banorët

22/09/2022 20:58

Industria e riciklimit të plastikës në Turqi është kritikuar ashpër në një raport të organizatës Human Rights Watch, të publikuar më 21 shtator.

Raporti thekson problemet shëndetësore për punëtorët dhe banorët, si dhe kritikon Bashkimin Evropian, për të cilin Turqia është ricikluesi kryesor i plastikës.

Industria e riciklimit në Turqi, që është duke u zgjeruar me shpejtësi, duke përpunuar gati gjysmë milioni ton plastikë në vit, akuzohet në një raport të organizatës Human Rights Watch se kërcënon jetën e punonjësve, shumë prej të cilëve janë në mesin e grupeve më të pambrotjura të shoqërisë turke.

“Plastika ka përbërës kimikë toksikë, që mund të shkaktojnë kancer. Ata mund të dëmtojnë sistemin riprodhues, si dhe mund të kenë ndikime të tjera negative afatshkurtra tek shëndeti, si astma dhe sëmundjet e lëkurës. Ne gjetëm shumë fëmijë që punojnë në objektet e riciklimit të plastikës, pavarësisht mbrojtjeve ligjore për fëmijët që punojnë në kushte të tilla të rrezikshme, si dhe shumë emigrantë dhe refugjatë që punojnë në këtë industri pa mbrojtje të përshtatshme”, thotë Krista Shennum nga organizata Human Rights Watch.

Raporti thotë gjithashtu se shumica e fabrikave të riciklimit të plastikës ndodhen në zemër të Adanas dhe Stambollit, dy nga qytetet më të populluara të Turqisë, ku banorët jetojnë pranë këtyre fabrikave.

“Kemi kaluar shumë kohë në zhurmë dhe në erën e pisllëkut. Kështu kaloi fëmijëria jonë. Unë jam 34 vjeç dhe tani kam probleme me mushkëritë”, thotë banori i Stambollit Sedat Kurt.

Industria e riciklimit thotë se ka rregulla të forta, që zbatohen për të mbrojtur punëtorët dhe banorët.

Por, raporti i organizatës Human Rights Watch pretendon se rregulloret shpesh nuk zbatohen dhe se nuk ka kontrollorë të mjaftueshëm.

Deri më tani, qeveria nuk ka reaguar ndaj raportit.

Industria turke e riciklimit po rritet me shpejtësi, me plastikë të ricikluar që përdoret edhe në industrinë e modës.

Turqia tani është ricikluesi kryesor i plastikës për Bashkimin Evropian dhe raporti i Human Rights Watch, i bën thirrje BE-së të marrë masa për trajtimin e këtij problemi.

“Që nga viti 2018, kur qeveria kineze ndaloi importin e mbetjeve plastike, afërsisht 450,000 tonë mbetje plastike nga BE-ja janë dërguar në Turqi çdo vit. Ne e kemi ngritur çështjen me vendimmarrësit në BE për t’i shtyrë ata që të kenë rregulla më të forta për të respektuar të drejtat e njerëzve në vendet e prekura nga eksportet evropiane të mbetjeve plastike”, thotë Krista Shennum nga organizata Human Rights Watch.

Riciklimi i plastikës është pjesë qendrore e nismave mjedisore për një botë më të gjelbër.

Sipas Human Rights Watch, njerëzit më të pambrojtur në Turqi, po paguajnë çmimin për këtë aspiratë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA