Njoftimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për shpalljen e mobilizimit të pjesshëm ushtarak, tregon se udhëheqja politike ruse është e gatshme të dëmtojë interesat e popullit të saj.
Por, ky vendim po ashtu tregon se Rusia ka dështuar të përmbushë qëllimet strategjike ushtarake në Ukrainë, tha kreu i Komitetit ushtarak të aleancës së NATO-s, Rob Bauer. Admirali holandez, Bauer, i bëri këto deklarata në Budva, ku po mbahet konferenca e Kartës SHBA-Adriatik (A5), vetëm një ditë pasi Putin njoftoi për mobilizimin ushtarak. Putin paralajmëroi Perëndimin se Moska do të përgjigjej me forcë nëse Perëndimi vazhdon me “shantazhin bërthamor”. Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se Rusia do të mobilizojë menjëherë 300.000 rezervistë, vendim që nxiti protesta në Rusi.
“Njoftimi i Putinit qartazi tregon se Rusia ka dështuar që të arrijë qëllimet e saj ushtarake dhe po detyron të rinjtë që të vdesin në një luftë në të cilën ata nuk besojnë. Rusia, por edhe Kina, mundohen që të shfrytëzojnë çdo mundësi për të thelluar ndarjet dhe konfliktet, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Paqja dhe stabiliteti nuk duhet asnjëherë të merren si të mirëqena. NATO dhe Bashkimi Europian prodhojnë efekte të mëdha kur këto dy organizata punojnë së bashku. Ne e dimë mirë koston e luftës dhe konfliktit, prandaj ne do të bëjmë gjithçka që të promovojmë paqen”- u shpreh Rob Bauer.
Gjenerali amerikan, Christopher Cavoli, komandant suprem në Evropë i NATO-s, tha se agresioni i pajustifikuar dhe joligjor i Rusisë kundër Ukrainës përbën shkelje të parimeve bazike të paqes dhe stabilitetit. Ai paralajmëroi se politikat në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të dobësohen nga përpjekjet revizioniste në disa shtete, teksa bëri thirrje që këto shtete të qëndrojnë të përkushtuara për rregullin ndërkombëtar. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë të Malit të Zi, Zoran Llazarevic e pranoi se “sfidat e reja në tokën evropiane përbëjnë një kërcënim të mundshëm për rajonin tonë po ashtu”. Prezenca e NATO-s në rajon është e një rëndësie kyçe për stabilitetin dhe integrimin e plotë në aleancë”, deklaroi ai.
Edhe më i drejtpërdrejtë, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanovic foli për kërcënimin e përdorimit te kërcënime që ai i cilësoi shqetësuese. Gjukanovic e tha hapur se “Mali i Zi është i shqetësuar për sfidat e sigurisë në BE që mund të kenë implikime në Ballkan”, ndërsa pati dhe kritika për BE e NATO-n duke thënë se mosangazhimi i mjaftueshëm i tyre në rajon, së bashku me perceptimin e gabuar lidhur me rëndësinë e integrimit, kanë krijuar hapësirë për ndikimin e palëve të treta.
Top Channel