“Doja ta shihja, por nuk më lanë të hyja”/ Babai i 22-vjeçares akuzon autoritetet iraniane për manipulimin e shkakut të vdekjes së saj

22/09/2022 17:33

Babai i Mahsa Amini, vajzës 22-vjeçare e cila vdiq pas mbajtjes në paraburgimin e Iranit për vendosjen jo të duhur të shamisë, ka deklaruar e nuk e kanë lejuar të shohë të bijën gjatë kohës që ishte atje.

Në një intervistë me BBC Persian, Amjad Amini tha se nuk ishte lejuar të shikonte raportin e autopsisë së vajzës së tij dhe mohoi që ajo të kishte qenë në gjendje të keqe shëndetësore.

Ai tha se dëshmitarët i kishin thënë familjes se ajo ishte rrahur në paraburgim nga policia, gjë e cila është mohuar nga autoritetet iraniane. Mahsa Amini u arrestua pasi dyshohet se ka thyer rregullat për veshjen e hixhabit.

Gruaja kurde nga qyteti veriperëndimor i Saqezit, vdiq në spital në Teheran të premten, pasi kaloi tre ditë në koma.

Arrestimi

Autoritetet iraniane deklaruan se zonja Amini nuk u keqtrajtua, por pësoi “sulm të papritur të zemrës”, pasi ajo u arrestua në Teheran nga policia morale e vendit.

I vetmi person i afërt në momentin e arrestimit ka qenë vëllai i 17-vjeçar i viktimës, i cili ka thënë se ajo ishte rrahur.

“Djali im ishte me të. Disa dëshmitarë i thanë djalit tim se ajo ishte rrahur në furgon dhe në stacionin e policisë. Djali im iu lut që të mos e merrnin, por edhe ai u rrah, iu grisën rrobat. Kam kërkuar që të më tregojnë kamerat trupore të oficerëve të sigurimit, më kanë thënë se kamerat nuk kanë bateri”, tha babai.

Autoritetet iraniane kanë deklaruar se Amini kishte veshur rroba jo modeste në kohën e arrestimit të saj.

U ndalua nga mjekët

Babai i viktimës u shpreh se ai ishte penguar vazhdimisht nga stafi mjekësor që të shihte trupin e vajzës së tij pas vdekjes.

“Doja të shihja vajzën time, por nuk më lanë të hyja”, tha ai.

Mjeku i cili po merrej me rastin e vajzës i ka thënë të atit :

“Do të shkruaj çfarë të dua dhe nuk ka të bëjë me ty”.

Amini e pa trupin e vajzës së tij vetëm pasi ishte mbështjellë për varrim, kur dukeshin vetëm këmbët dhe fytyra e saj.

“Kishte mavijosje në këmbët e saj. Kam kërkuar nga mjekët që të ekzaminojnë këmbët e saj”, deklaroi ai.

Drejtori i përgjithshëm i Mjekësisë Ligjore të Teheranit ka deklaruar pas vdekjes së saj se:

“Nuk janë vërejtur shenja lëndimesh në kokë dhe fytyrë, asnjë mavijosje rreth syve ose fraktura në bazën e kafkës së Mehsa Amini”.

Autoritetet thanë gjithashtu se nuk kishte shenja të lëndimeve të brendshme.

Akuzat për shëndetin

Babai vajzës hodhi poshtë pretendimet se vajza e tij kishte probleme shëndetësore që mund të kishin ndikuar në vdekjen e saj.

Drejtori i përgjithshëm i mjekësisë ligjore në provincën e Teheranit tha se 22-vjeçarja kishte bërë një operacion në tru në moshën 8-vjeçare.

“Ata po gënjejnë. Ajo nuk ka qenë fare në asnjë spital në 22 vitet e fundit, përveç disa sëmundjeve të lidhura me të ftohtin. Ajo kurrë nuk kishte ndonjë gjendje mjekësore, ajo kurrë nuk kishte bërë një operacion“, tha ai.

Amini mohoi gjithashtu një pretendim tjetër në lidhje me shëndetin e vajzës së tij,  se ajo kishte rënë të fikët në dyqanin ku punonte.

E reja do të niste studimet javën e ardhshme, por nuk arriti dot pasi gjithçka iu pre në mes.

Protestat për vdekjen e Mahsa Amini janë përhapur në mbi 20 qytete të mëdha në Iran
Ai tha se asnjë informacion në lidhje me autopsinë nuk i ishte dhënë familjes.

Protestuesit bllokojnë një rrugë në Teheran

Top Channel