Dy vatra zjarri janë shfaqur ditën e sotme në zonën rurale të Durrësit, pasi u vu nga banorët për të djegur mbeturinat dhe më pas mori përmasa më të mëdha.

Në Kodër Arapaj rreth 500 metra larg shkollës zjarrfikësit kanë mundur të venë nën kontroll zjarrin që rrezikonte t’i afrohej banesave.

Zjarri është vënë nga banorë të zonës për të pastruar tokën nga mbeturinat dhe barishtet, por të favorizuara nga era flakët kanë nisur të përhapen me shpejtësi.

Me të marrë informacion për zjarrin që kishte dalë jashtë kontrollit, dy mjete dhe efektivë të shërbimit zjarrfikës të Durrësit kanë shkuar drejt zonës në flakë.

Paraprakisht bëhet e ditur se zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej më shumë se 1 hektarë duke djegur kryesisht shkurre dhe dëmtuar disa rrënjë ullinj. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve nuk ka lejuar përparimin e zjarrit drejt banesave dhe ullishteve të fshatit.

Ndërkohë një tjetër mjet zjarrfikës është angazhuar në shuarjen e një tjetër zjarri që ra në Qerret të Katundit të Ri.

Zjarrvënia nga banorët e fshatrave për të pastruar mbeturinat dhe barërat e këqija është kthyer në një  dukuri të rrezikshme, me dëme të mëdha në pyje, drurë frutorë dhe në disa raste ka marrë dhe jetë njerëzish e shtuar konfliktet mes banorëve të zonave të përfshira nga flakët.

Top Channel