Rusët kanë dalë këtë të mërkurë në protestë, pasi presidenti Vladimir Putin bëri të ditur se ka nënshkruar një dekret për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, me qëllim aneksimin e një pjese të Ukrainës.
Mbi 1000 persona raportohet se janë arrestuar gjatë protestave, që nga autoritetet cilësohen tubime të paligjshme.
Në mediet sociale u shpërndanë imazhet e grupeve të vogla të protestuesve që mbanin tabela për të kundërshtuar urdhrat e Vladimir Putin për mobilizim të pjesshëm.
Njoftimi i presidentit rus vjen në kohën kur pushtimi i Ukrainës, me urdhër të tij, është në muajin e shtatë. Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”.
Një ditë më herët, rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë. Referendumet, të cilat pritej të zhvilloheshin që në muajt e parë të luftës, do të fillojnë më 23 shtator në rajonet Luhansk e Kherson, si dhe në Zaporizhja e Donjesk. Dy të fundit kontrollohen pjesërisht nga Rusia.
Top Channel