Baseni i Vjosës dhe problematikat që lidhen me cilësinë e burimeve ujore ishin sot pjesë e diskutimeve mes shkencëtarëve, ekspertëve të mjedisit dhe insitucioneve vendore që lagen nga Vjosa. 

Këshilli i basenit të Vjosës u mblodh në Tepelenë, një prej bashkive që gjendet në zemrën e rrjedhës së lumit të fundit të egër të Europës.

Ekspertët e vlerësuan takimin si të jashtëzakonshëm edhe sepse për herë të parë sjell së bashku përpjekjet e shumë aktorëve për një plan menaxhimi 6-vjeçar të basenit.

Problematikat që lidhen me njohjen e potencialit të lumit Vjosa, pasurinë ujorë, florën dhe faunën si pjesë e habitatit natyror u përcollën nga studiues dhe ambjentalistë shqiptarë dhe të huaj.

Vëzhgimet e ekipeve kërkimore sjellin fakte shqetësuese sa i përket cilësisë së ujërave ndikuar nga përpjekjet për diga, gurore, miniera, ndotja plastike, pesticidet bujqësore dhe ujërat e zeza.

Gerta Lubonja drejtoreshë e Agjensisë Kombëtare të menaxhimit të burimeve ujore sqaroi se në këtë fazë po koordinohen përpjekjet e aktorëve lokalë dhe rajonalë për Vjosën si dhe projektet e hartuara me

Ndikim në cilësinë e ujërave. Znj. Lubonja konfirmoi se fokusi i Agjensisë për vitet në vijim është përfitimi i fondeve prej projekteve europiane të IPA-s që besohet se brenda një dekade do të kenë sjellë rezultate në përmirësimin e cilësisë së këtij baseni ujor.

Me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, Vjosa është tashmë një zonë e mbrojtur por sipas ambjentalistëve statusi i një parku natyror nuk garanton mbrojtjen. Vetëm statusi i parkut kombëtar sipas ekspertëve do ta kthente basenin në një territor me mbrojtje strikte.

Me statusin aktual Vjosa ende kërcënohet nga hidrocentralet e Kalivaçit dhe Poçemit por edhe prej kërkimeve për naftë.

 

Top Channel