Talibanët thonë se do të ndalojnë TikTok në Afganistan pasi ‘promovon dhunën’ (fotot)

21/09/2022 15:28

Talibanët në pushtet në Afganistan kanë njoftuar së fundmi se do të ndalojnë aplikacionin TikTok pasi promovon dhunën mes qytetarëve, edhe pse shpesh militantët kanë shpërndarë në rrjet pamje makabre për të përhapur frikë mes armiqve të tyre.

Ministria talibane e komunikimeve tha se aplikacioni do të ndalohet brenda disa javëve, se bashke me lojën online PUBg.

Në deklaratën e tyre zyrtarët thonin: “TikTok ka shpërndarë përmbajtje imorale dhe jo-islamike në vend, mes njerëzve dhe të rinjve të dobët e të pamësuar në Afganistan, prandaj do të bllokohet për të mirën e tyre”.

“Ata po shkatërrojnë të rinjtë tanë duke promovuar stilin perëndimor të jetesës, kur ne jetojmë në një vend islamik dhe ata përhapin përmbajtje kundër tij”, shtohej më tej.

“Facebook gjithashtu përhap të njëjtat përmbajtje dhe të rinjtë tanë harxhojnë shumë kohë me të, është detyra jonë të kujdesemi për ta”, tha zyrtari.

Kompanitë e internetit në vend janë informuar se brenda 30 ditëve duhet të ndalojnë TikTok.

Udhëheqësit e rinj të Afganistanit njoftuan vendimin në një takmi me përfaqësues të sektorit të sigurisë dhe të administratës fetare muslimane.

Zhvillimi vjen megjithëse luftëtarët talibanë kanë publikuar në rrjetet sociale pamje të rënda nga fushëbetejat, për të frikësuar armiqtë e tyre.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale të grupeve talibane shihet një grup prej pesë luftëtarësh para se të ekzekutohen.

Në të njëjtën konferencë ministri i komunikimeve Ahmad Masoud Latif Rai, kritikoi gjithashtu rrjetin Facebook për mungesën e bashkëpunimit me autoritetet për kufizimin e përmbajtjeve në rrjet.

Qeveria talibane është në pushtet prej 15 gushtit të vitit të shkuar pas largimit të forcave SHBA nga Afganistani.

FOTO GALERI
1/6
Talibanët në pushtet në Afganistan kanë njoftuar së fundmi se do të ndalojnë aplikacionin TikTok pasi promovon dhunën

Top Channel