Salsiçet “Wudy” produkt me rrezikshmëri të lartë, drejtoresha e AKU-së: Duhet të paraqiteni tek mjeku nëse i keni konsumuar

21/09/2022 13:24

Një seri produktesh të markës ‘Wudi’ në tregun shqiptar, nuk duhet të konsumohen pasi rezultojnë me një bakter të rrezikshëm për shëndetin, në përmbajtje.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se pas analizave laboratorike të kryera në Itali, është konstatuar prani e Listeria monocytogenes STI55.

Autoriteti kombëtar i ushqimit sqaron se nuk bëhet fjalë për të gjitha produkte e salsiçeve “Wudi” por për 5 lloje produkti, ndaj duhet kontrolluar loti dhe data e dekadencës, që ka publikuar AKU në njoftimin e saj.

“Bëhet fjalë vetëm për 5 lloje produktesh me lotet të caktuara. 5 lloje produktesh me disa nënlote dhe data skadence”, tha Jeta Deda, Drejtoresha e AKU-së.

Drejtoresha e AKU, Jeta Deda tha gjatë një interviste në Top Channel në emisionin “Shqipëria Live” se çdokush që ka konsumuar këto produkte duhet të paraqitet tek mjeku i familjes.

“Përbën risk serioz për shëndetin e njeriut, duhet të paraqitet tek mjeku i familjes ai që e ka konsumuar”, u shpreh Deda.

Këto produkte thekson AKU nuk duhet të hidhen, por duhet të kthehen pranë subjekteve ku janë blerë.

“Nuk duhet t’i hidhni por t’i ktheni aty ku i keni blerë, sepse duke qenë produkte të dëmshme duhet të asgjësohen në mënyrën e duhur”, tha Jeta Deda Drejtoresha e AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po vijon kontrollet në operatorët e biznesit ushqimor për identifikimin, bllokimin dhe tërheqjen e produktit nga tregu.

Top Channel