Hapja e dosjeve/ Mediu: Nuk mund të hapim dosjet për të përndjekurit politikë! Bushka: Të ftohtë me emocionet. Alibeaj: E vërteta të bën të lirë!

21/09/2022 12:48

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në diskutimet e sotme në Autoritetin e Dosjeve lidhur me projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr.45/2015”, është shprehur se nga këto diskutime duhet të përjashtohet kategoria e të persekutuarve në mënyrë që të mos i shtohet më shume dhimbja familjarëve.

Ai tha se është e drejtë që të orientohen sipas transparencës, por në mënyrë që të mos preket kjo kategori pasi nuk mund të gjykohet pas vuajtjeve të mëdha të komunizmit.

Nga ana tjetër, Klotilda Bushka e kundërshtoi këtë mendim të Mediut, duke argumentuar se gjërat duhet të shihen në mënyrë të ftohtë e të “zhveshur” nga emocionet.

Fatmir Mediu: Dua t’ju bëj thirrje që të miratojmë unanimisht rezolutën që dënon krimet e kohës së komunizmit. Duhet të gjejmë brenda vetes një raport të qartë moral që të hapen këto dosjet për gjithsecilin, nuk mund të kërkojmë hapjen e dosjes për historitë e të përndjekurve politikë, nuk mund ti rindezim për ata që e kanë vuajtur. Nuk ka asnjë nga ne të drejtë të kërkojë të diskutojmë për moralin e atyre njerëzve që iu janë persekutuar e arrestuar të afërm. Shteti funksionon bazuar mbi balancën e pushteteve, nuk fillon çdo gjë ku na e ka qejfi ne dhe kjo nuk është e moralshme. Do të ishte e drejtë të orientohemi drejt transparencës por të heqim dorë që të gjykojmë atë që ne nuk mundemi të gjykojmë. Shtresën e të përndjekurve politikë duhet ta përjashtojmë për të mos i shtuar më shumë dhimbje e plagë kësaj shtrese.

Klotilda Bushka: Është domosdoshmëri, ne e kemi detyrim për brezat e ardhshëm. Kjo nuk na bën dot neve që jemi nismëtarë të mos jemi të ftohtë sot. Pavarësisht emocioneve dhe dhimbjeve për ata persona që kanë vuajtur nga ai regjim, jemi tërësisht të ftohtë dhe duhet të jemi të kujdesshëm në nismat që marrim. Ne nuk jemi vonë në këtë aleancë siç e quajtët ju. Ne po e nisim sot nisur nga kërkesat e vazhdueshme të autoritetit. Jemi tërësisht të ftohtë në lidhje me emocionet sa i përket kësaj çështje dhe ju kërkoj si koleg që të mos na paragjykoni në këtë qëllim.

Enkeleid Alibeaj:Dilema ka qenë gjithmonë kjo, të mos hapim dosjet se ndoshta mund të ketë pasur raste që kriminalitet i sigurimit mund të ketë shkuar deri brenda familjeve të të përndjekurve. Kjo do të kishte koston tjetër, kriminaliteti i sigurimit kurrë nuk do të dilte në pah. Dilemë morale shpirtërore. Kjo lloj dileme na ka shoqëruar gjatë gjithë kohës, unë kam bindjen, e vërteta na bën të lirë.  

Debati 30-vjeçar për dosjet e ish-Sigurimit u riaktivizua javët e fundit të korrikut pasi Autoriteti Dosjeve i dërgoi një shkresë kuvendit ku thuhej se një politikan i rëndësishëm me inicialet IM ka bashkëpunuar me ish sigurimin e shtetit. Aludimet dhe debatet u përqendruan tek ish-presidenti Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish sigurimin.

Top Channel