Hetuesit gjermanë kanë bastisur pronat e një oligarku rus që dyshohen për evazion fiskal dhe për shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian, thanë prokurorët.

Burimet e AFP-së thanë se pronat e shënjestruara i përkasin miliarderit Alisher Usmanov.

Bastisjet u përqendruan në dy prona që thuhet se i përkasin Usmanovit, 69 vjeç, në Miesbah të Bavarisë.

Në njoftimin e Policisë, autoritetet nuk emëruan të dyshuarin, por burimet e afërta me hetimin thanë për AFP-në se bëhet fjalë për Usmanovin, aleat i ngushtë i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ish-shef i Federatës Ndërkombëtare të Skermës.

Midis viteve 2017 dhe 2022, i dyshuari ishte akuzuar se kishte fshehur disa miliona euro që i kishte fituar përmes aktiviteteve joligjore, përfshirë përmes ikjes së taksave. E gjithë kjo ishte bërë përmes “rrjetesh komplekse të kompanive dhe korporatave”, duke fshehur origjinën e parave, tha Policia gjermane.

Rreth 250 policë u përfshin në bastisje dhe evazioni fiskal vlerësohet se arrin në 550 milionë euro, raportoi revista Der Spiegel.

Në operacionin policor në total u shënjestruan 24 prona që i përkasin oligarkut rus dhe katër personave të tjerë, thanë prokurorët në Mynih.

Usmanov po ashtu akuzohet se ka përdorur fondet e ngrira nën sanksionet e BE-së për të paguar monitorimin e pronave nga kompani të sigurimeve, thanë prokurorët gjermanë.

Katër personat e tjerë dyshohet se kanë ofruar për oligarkun shërbime të vëzhgimit.

Mediat gjermane më herët gjatë këtë viti raportuan se autoritetet kishin konfiskuar jahtin “Dalibar”, në pronësi të Usmanovit.

Ky jaht ishte ankoruar në portin e Hamburgut që prej tetorit të vitit 2021 për riparime.

Në listën e Sunday Times, Usmaov më 2021 ishte radhitur në vendin e gjashtë në listën e personave më të pasur në botë.

Ai është një prej dhjetëra miliarderëve rusë që janë shënjestruar nga sanksionet e Perëndimit, pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Usmanov besohet se aktualisht po jeton në Uzbekistan, raportoi Der Speigel./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA