Policia e Shtetit ka reaguar pas denoncimit në Fiks Fare të një qytetari, i cili pohoi se ishte paguar nga grupet kriminale për të kryer gjymtime dhe djegie makine.

Me zë dhe figurë, Fiksi faktoi të gjithë rrjetin, nga porositësi, objektivi dhe personat që do merrnin pjesë. Menjëherë pas këtij denoncimi, Policia e Shtetit, shkruan se “në datën 7 shtator 2022, Policia e Lushnjës i ka marrë deklarime shtetasit që denoncoi rastin. Madje, janë kryer të gjitha veprimet procedurale për shoqërimin dhe intervistimin e palëve të përfshira në këtë çështje”.

Pra, intervistimin! Dhe jo ndalimin, arrestimin e këtyre personave. Sipas Policisë, shtetasit janë proceduar penalisht dhe ndiqen në kuadër të një procedimi penal të regjistruar në Prokurori. “Të gjitha veprimet e para  procedurale janë kryer nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnje” shkruan policia, duke ia atribuuar “fajin” prokurorisë së këtij rrethi. Në fakt, Fiksi pyeti edhe në prokurori para se ta transmetonte këtë investigim, teksa prokurori i çështjes ishte shumë i zënë. Në reagim, Policia e Shtetit është marrë vetëm me komunikimin e shefit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë me qytetarin.

“Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit A. K., me detyrë shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Lushnjë, deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë, me detyrë shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Lushnjë”, thotë Policia e Shtetit.

Në këtë reagim, Policia e Fierit, por edhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, e pezulluan dhe po e hetojnë shefin për fjalorin e përdorur. Ndërkohë, në asnjë rresht, këto drejtori nuk kanë dhënë informacione për grupin kriminal dhe, denoncimin më të rëndësishëm të Fiksit, mbrojtjen e jetës dhe familjes të denoncuesit.

 

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA