Përgjegjësi i ekspeditës së zhytjes, ku u mbyt 29-vjeçarja angleze një ditë më parë , në vendin e quajtur “Vapori i mbytur” në Sarandë është arrestuar.
Pas hetimeve, ka rezultuar se shtetasi S. K. kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes, në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 45 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësimi i paligjshëm”, pasi ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Vapori i mbytur”, gjatë ekspeditës së zhytjes, me përgjegjës këtë shtetas, është mbytur shtetasja angleze R. G., 29 vjeçe. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi S. K. e kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes, në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi R. Ç., 54 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, është përfshirë në një aksident me dëme materiale, si dhe ka tentuar të largohet nga vendi i aksidentit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.
Kujtojmë se 29-vjeçarja ka qenë duke u zhytur pranë vendit të njohur si “Anija e mbytur” dhe ende janë duke u sqaruar rrethanat.
Zhytësja ishte pjesë e një skuadre zhytësish profesionistë që gjendeshin në një ekspeditë eksplorimi.
Burime nga spitali i Sarandës konfirmojnë se shtetësja britanike mbërriti pa shenja jete në spital.
Sipas vlerësimit paraprak mendohet se ajo mund të ketë pësuar një sulm paniku gjatë zhytjes që mund të ketë sjellë më pas atak kardiak megjithatë për të gjitha rastet e të huajve ekspertiza mjeko-ligjore kryhet në Tiranë. Vlerësimet përfundimtare të shkakut të vdekjes priten sot.
Top Channel