Apeli i Durrësit la në qeli shtetasin turk Faruk Ozer duke i çelur rrugë ekstradimit të tij për llogari të drejtësisë turke.

Ish-kreu i platformës së kriptovalutave Thodex, shtetasi turk Faruk Fatih Ozer ankimoi vendimin e gjykatës së Elbasanit duke kërkuar ndryshim të masës së sigurimit nga arrest në burg. Sipas avokatit mbrojtës Ozer ka hyrë si qytetar i lirë në Shqipëri dhe hetimi që po zhvillohet në Turqi për të nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore për një masë ekstreme të sigurimit personal.

Vendimi i gjykatës së Elbasanit, sipas avokatit, nuk është i arsyetuar për këtë masë ekstreme sigurimi.

Ndërkaq prokurori Bashaj sqaroi  se Ozer ishte në kërkim ndërkombëtar pasi ka një vendim për arrest në burg për këtë shtetas nga Turqia. Akuza kërkoi miratimin e vendimit të gjykatës së Elbasanit pasi rasti i Ozer nuk prek asnjë nga shkaqet e parashikuara në KPP për të cilat një shtetas mund të përjashtohet nga procesi i ekstradimit.

I pranishëm në seancë, Ozer heshti duke lënë avokatin ta përfaqësojë, ndërsa seanca e cila nisi rreth 3 orë me vonesë u ndoq dhe nga përfaqësues të ambasadës turke.

Themelues i kriptovalutës dhe platformës “Thodex”, që shpalli falimentin një vit më parë, Ozer konsiderohet si një prej mashtruesve më të mëdhenj në Turqi. Hetimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2021 pas denoncimeve se investitorët përdorues të platformës nuk mund të hynin në llogaritë e tyre në “Thodex”.

Ozer u largua nga Turqia drejt Shqipërisë ku dhe u kap, ndërsa pushonte në zonën e Himarës.

Top Channel