Universiteti i Tiranës renditet dobët edhe krahasuar me fqinjët tanë modestë të rajonit. Më konkretisht Universiteti i Prishtinës numëron 2464 publikime me një faktor impakti 52, universiteti i Shkupit numëron 6648 publikime me faktor impakti 93, ndërsa universiteti i Beogradit është shumë larg me plot 74.725.

Duke qenë se dekani i Ekonomikut e krahasoi këtë fakultet me Oksfordin dhe Harvardin, le tu hedhim një sy edhe këtyre dy gjigantëve të dijes.

Universiteti i Oksfordit rezulton të ketë mbi 372 mijë publikime, ndërsa ai i Harvardit mbi 909 mijë publikime.

Edhe universitetet e tjera publike sa i përket kërkimit shkencor, renditen dobët. Kështu Universiteti Bujqësor, që ka një staf peej 450 pedagogësh rezulton me 370 publikime shkencore, Politekniku rezulton me 610 publikime shkencore dhe Mjekësia rezulton 590 publikime shkencore.

Deri më tani kaluam në sitë drejtuesit e universitetit të Tiranës, por a është i zhvilluar kërkimi shkencor në universitetet e tjera?

Arben Gjata, rektori i Universiteti i Mjekësisë, një sektor kyç sidomos dy vitet e fundit për shkak të pandemisë, rezulton të ketë 13 publikime shkencore me një faktor 11, ndërsa Xhelal Draçini, dekani i fakultetit të mjekësisë ka 3 publikime dhe faktorin e impaktit e ka 1.

Andrea Maliqari, rektori i universitetit Politeknik, një tjetër institucion i rëndësishëm, sidomos pas problematikave të shumta që dolën në dritë nga tërmeti i 26 nëntorit, nuk ka asnjë publikim apo punë shkencore të botuar jashtë.

Shumë pak kërkim shkencor kanë prodhuar edhe dekanët që drejtojnë 7 fakultetet e këtij universiteti.

Më konkretisht, Elinda Meçe, dekane e Fakultetit të teknologjisë se Informacionet ka vetëm 2 publikime shkencore, ndërsa Astrit Bardhi që udhëheq fakultetin e Inxhinierisë Elektrike ka zero publikime shkencore.

Genti Guxho, dekan i fakultetit të Inxhinierisë Mekanike rezulton të ketë 10 publikime shkencore, ndërsa Neritan Shkodrani që është në krye të fakultetit të Inxhinieriosë së Ndërtimit ka vetëm 4 publikime shkencore.

Armand Vokshi që drejton fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës ka zero publikime dhe po ashtu zero publikime ka edhe Vasil Jorgji, dekani i Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.

Shkëlqim Kuka, dekani i fakultetit të Inxhinierisë Matematike dhe Fizike rezulton të ketë realizuar 3 botime shkencore në revista me factor impakti, ndërsa Ylber Muceku që ëhstë në krye të Institutit të Gjeoshkencave është autor në 7 punimeve shkencore që janë botuar jashtë.

Fatbardh Sallaku, rektori i Universitetit Bujqësor rezulton të jetë autor I 7 punimeve shkencore, Agron Kasa, rektori i Universitetit të Sporteve nuk ka asnjë publikim shkencor në revista me factor impakti. Po ashtu edhe Kseanela Sotirofski, rektore e Universitetit të Durrësit, ka zero publikime shkencore, pavarësisht se këto universitete çdo vit japin qindra doktoratura.

Asnjë publikim shkencor nuk ka Bektash Mema, rektor në Universitetin e Gjirokastrës, dhe me zero publikime shkencore rezultojnë edhe Roland Zisi, Rektor në Universitetin e Vlorës si dhe Dhimitër Bello, rektor në Universitetin e Korçës.

Suzana Golemi, rektore në Universitetin e Shkodrës rezulton të ketë 6 publikime shkencore, ndërsa në krye të listës sa i përket kërkimit shkencor në mesin e rektorëve, rendit Skënder Topi i Universitetit të Elbasanit me 26 publikime me faktor impakti 13.

“Në Shqipëri kemi shumë tituj akademikë por nuk ka kërkim shkencor, universitete pa kërkim shkencor janë thjesht gjimnaze. Ende nuk ka një reflektim. Kemi dy përgjegjës që janë universitete që brenda tyre duhet të kishte zhurmë dhe debat se si do të orientojmë, dhe është Ministria e Arsimit si autoriteti përgjegjës që kur kap shkelje merr masa. Por kjo nuk ka ndodhur me titujt akademikë”u shpreh studiuesi, Taulant Muka.

Top Channel