Inside Story/ Rektori dhe dekanët e universitetit të Tiranës “ngelin” në kërkimin shkencor, asnjë publikim serioz

20/09/2022 21:41

Universiteti i Tiranës, më i madhi në vend, konsiderohet edhe universiteti elitë në Shqipëri. Ky universitet afron edhe numrin më të lartë të studentëve.

Kështu, sipas të dhënave të INSTAT, përgjatë vitit akademik 2021-2022, nga 94 mijë studentë që ndiqnin studimet e larta, 23 mijë ishin në universitetin e Tiranës.
Me rreth 1 mijë pedagogë, në këtë universitet duhet të gëlonte kërkimi shkencor.
Por e vërteta duket të jetë është krejt ndryshe. Për të parë se sa produktiv është ky universitet, që mban fronin e më të mirit në vend, “Inside Story” hulumtoi rreth punës kërkimore që kanë realizuar rektorët dhe dekanët e këtij universiteti, pra ata që qëndrojnë në majë të piramidës së hierarkisë.
“Nëse shikon figurën akademike dhe produktin shkencor të dekanëve dhe rektorët, jo vetëm në universitetin e mjekësisë por thuajse në të gjithë universitetet publike janë pothuajse nuk sa i përket kërkimit shkencor” u shpreh studiuesi Taulant Muka.
Për të parë publikimet iu referuam “Web-Of-Science”, një databazë ku indeksohen revistat cilësore me faktor impakti ose siç njihet ndryshe H-index . H- indeks është një parametër që tregon sasinë e publikimeve dhe cilësinë e një studiuesi. Ka disa site që rankojnë publikimet shkencore por “Inside Story” iu referua “Web of Science” pasi ai klasifikon vetëm revistat cilësore dhe me faktor të lartë impakti, ndërsa Scopus, një tjetër site akademik merr në konsideratë edhe botime në revista me faktor të vogël impakti.
Si rregull, një studiues publikon si autor i parë, dhe me marrjen e titujve si Asistent profesor apo profesor, synon gjithmonë të ketë më shumë publikime si autor i fundit. Të dhënat e përfituara janë vërtetë dramatike dhe dëshmojnë për një nivel krejt minimal të kërkimit shkencor që fillon nga maja e piramidës.
Më konkretisht juristi Artan Hoxha, mban postin e rektorit të Universitetit të Tiranës që prej vitit 2020. Në vitin 2009 ai ka marrë gradën “Doktor” në të Drejtën Penale, më 2010 ka marrë titullin “ Profesor i Asociuar” dhe në vitin 2015 titullin “Profesor”. Por pavarësisht këtij rrugëtimi të gjatë, rektori i Universitetit të Tiranës nuk ka asnjë botim shkencor, asnjë punë shkencore, asnjë kërkim në revistat prestigjoze.
Si rrjedhojë edhe faktorin e impaktit, pra që mat cilësinë dhe sasinë e ka zero . Emri i rektorit të universitetit lider në vend, nuk figuron as në Scopus që merr në konsideratë edhe botimet në revistat me faktor impakti të vogël.
E njëjta situatë dramatike paraqitet edhe me “kokat” që drejtojnë fakultetet e Universitetit të Tiranës.
Profesor doktor Dhori Kule, me një karrierë të gjatë 40 vjeçare në botën akademike, i cili ka qenë dy herë rektor i Universitetit të Tiranës dhe për të tretën herë mban postin e dekanit të fakultetit Ekonomik, po ashtu rezulton të ketë zero publikime shkencore në Web of Science Pavarësisht se në CV-në e tij të publikuar në faqen e universitetit të Tiranës, thuhet se është autor i mjaft artikujve shkencorë, brenda dhe jashtë vendit, asnjë prej tyre nuk figuron të jetë botuar në revista serioze. Vetëm në Skopus rezulton të jetë autor i një studimi.
Asnjë publikim shkencor, asnjë botim, apo artikull në revista me faktor impakti nuk kanë edhe Edmond Rapti, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale; Sokol Mëngjesi, dekan i Fakultetit të Drejtësisë; Artur Sula dekan i Fakultetit të Gjuhëve të huaja, si dhe Sabri Laci, dekan i Fakulteti të Histori Filologjisë.
Spiro Drushku, dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës rezulton se ka 15 publikime dhe një factor impakti 4.
Brunilda Daci, dekane e Fakultetit të Institutit të Fizikës Bërthamore të Zbatuar rezulton me 7 botime, dhe një faktor impakt 2.
“Nëse ka një sitë, pra një filtrim duhet të fillojmë me dekanë, rektorë apo shefa departamenti. Në rast se pastrohet kjo pjesë e sistemit, nëse vjen një shef departamenti që ka një etikë profesionale fillon e ndërton në mënyrë të shëndetshme. Por në momentin që koka është e vështirë që të pastrosh ata poshtë, pasi përgjegjësia më e madhe qëndron tek kokat” u shpreh studiuesi Taulant Muka.
Kjo shkëputje totale e drejtuesve nga kërkimi shkencor, ka bërë që universiteti i Tiranës ti mungojnë themelet që e bëjnë një godinë të fortë duke e renditur shumë dobët.

Top Channel