Tekniku 52-vjeçar është i papunë që prej vitit të kaluar, kur u largua nga pankina e Shkëndijës së Tetovës dhe ndonëse u përfol për të marrë drejtimin e disa klubeve të Superiores, në fund zgjodhi Arabinë Saudite.
SuperSport shkruan se pak ditë më parë Ernest Gjoka lidhi marrëveshje me menaxherin, Ilir Halili, i cili njihet për lidhjet e tij të forta me futbollin arab dhe i kanë mjaftuar vetëm pak ditë për t’i gjetur një tjetër skuadër trajnerit kryeqytetas.
Ernest Gjoka ka një eksperiencë të konsiderueshme si trajner, pasi ka drejtuar në Superiore skuadra si Kukësi, Flamurtari, Vllaznia, Kamza, Apolonia, Tomori, etj., si dhe në Maqedoninë e Veriut, ku drejtoi Shkëndijën për më shumë se një sezon.