“3 mijë euro rrahja, 1 mijë djegia e makinës…”/ Rrëfimi i një bashkëpunëtori të drejtësisë në Fiks Fare

20/09/2022 20:50

Një i ri, 26 vjeçar, rrëfeu për Fiks Fare, mënyrën si është rekrutuar nga grupet kriminale për të gjymtuar një person në Lushnjë. Ai thotë se për rrahjen do të paguhej 3 mijë euro, ndërkohë nëse objektivi do të pësonte thyerje kockash do të paguhej më shumë. Madje, porositësit i kishin kërkuar që objektivit t’i digjej edhe automjeti, ndërsa pagesa do të shtohej.

Por, megjithëse i riu ka bashkëpunuar me policinë, duke treguar ndërmjetësin, porositësin dhe objektivin, ai sërish është lënë “në mes të 4 rrugëve”, pasi policia nuk ka bërë asnjë veprim. Gjatë një ballafaqimi, inspektori i policisë i kërkon të riut që t’i dalë përpara sekserit dhe mos “të rri si i dh…”. Madje, ai i sugjeron që të lëvizë i lirë. Ndërkohë, prokuroria nuk e ka thirrur 26-vjeçarin për t’i marrë dëshminë, pasi “kanë shumë punë të tjera”.

“3 mijë euro për rrahjen, ‘bonuse’ nëse do kishte thyerje…”

26 vjeçari rrëfeu me detaje si e rekrutuan grupet kriminale për të bërë gjymtime dhe djegie makine me para’. Ai thotë se një i njohuri i tij, duke parë vështirësitë që po kalonte, i sapo kthyer me ekspuls nga emigrimi, pa punë, me një fëmijë të vogël, e ka joshur për të kryer vepra penale. Personi ndërmjetës, ose sekseri, jetonte në Durrës dhe quhej Klodian.

“Klodiani i dinte vështirësitë e mia të jetesës. Isha pa punë, me expuls nga jashtë. Me fëmijë të vogël, pa shtëpi. Ai më ofroi një ‘punë’ që duhet ta kryeja në Lushnjë. Më tha se disa të njohur të tij e kanë kontaktuar për të rrahur dhe gjymtuar një person. Duke parë vështirësitë e mia, pranova. Klodiani do më siguronte një makinë, ndërsa për rrahjen do më jepte 3 mijë euro. Nëse personit do t’i thyeja ndonjë gjë, shuma do të rritej. Gjithashtu këtij personi do t’i digjja dhe makinës dhe çmimi ishte 1000 euro. Bashkë me Klodianin u nisa në Lushnjë në fillim të muajit shtator 2022. Takuam një person tjetër, s’m’u prezantua me emër, por kishte një servis te rrethrrotullimi i Grabianit. Ky person donte që unë të rrihja një shtetas tjetër, që kishte dhënë me qira një karburant. Karburanti dhe servisi i porositësve ishin afër” pohon 26 – vjeçari.

Më tej pohon se bashkë me Klodianin (ndërmjetësin) dhe porositësin shkojnë për të parë makinën që do digjte. Ishte e tipit “Hyundai” dhe ishte parkuar te karburanti. “Më pas, më tregoi lëvizjet e personit që do të rrihja dhe do të gjymtoja. Ishte rreth 60-65 vjeç dhe aktualisht ai ishte në arrest shtëpie. Por, ai lëvizte me biçikletë dhe shkonte nga tokat. Unë do e prisja afër një nënkalimi të Unazës së Lushnjes ku s’kishte lëvizje. Për këtë do më paguanin 3 mijë euro. Ndërkohë, të njëjtët persona më treguan edhe banesën e objektivit, e cila ishte në afërsi të Stacionit të Trenit në Lushnje, një shtëpi përdhese” pohon 26 vjeçari.

“Porositësi më dha foto dhe video të objektivit, më tregoi adresat”

Në rrëfim, i riu që banon në Durrës, pohon se është nisur në Lushnjë pasditen e datës 7 shtator 2022. “Kam ikur me dyshime, pasi kam mësuar se, nëse i bëja të gjitha këto, do më paguanin vetëm 1 mijë euro dhe do më bënin presion që të bëja punë të tjera. Kam pritur afër autostradës dhe në orët e vona ka kaluar një makinë policie dhe më ka pikasur. Më kanë shoqëruar në polici dhe atje unë kam treguar të gjithë planin. Madje, ndërmjetësin, porositësit dhe objektivin. Këta më kishin dhënë foto dhe video të objektivit. Por, Policia e Lushnjes më shumë më bënte mua presion se personave të tjerë që shoqëroi, porositësit. Në prani të policëve më ka marrë Klodiani dhe më tha se ‘puna do mbaruar’. Kam të gjitha komunikimet në telefon që ma sekuestroi policia. Unë nuk i njoh me emra porositësit, por kanë një servis te rrethrrotullimi i Grabianit. Edhe emrin e objektivit nuk e di” vijoi ai.

Më tej shton se ka qëndruar vetëm një natë në polici, ku ka treguar gjithçka. “Madje, kam shoqëruar policinë te servisi, karburanti, vendin ku do bëja rrahjen. Pastaj, policia më ka lënë të lirë afër servisit të porositësve, më dhanë 4 mijë lekë të vjetra për rrugë. Më pas, s’më kanë lajmëruar për asnjë gjë. Policia më mori makinën që e kisha me qira, portofolin dhe telefonin” thotë ai.

Të nesërmen, bashkë me të riun, gazetarët e Fiks Fare shkojnë te vendet në Lushnje, ku do kryhej rrahja, te karburanti, servisi dhe shtëpia e objektivit. Fillimisht, ai çon grupin e Fiks Fare në afërsi të një nën kalimi në Unazën e Lushnjes, rrugë e cila të çon nga arat. “Këtu do të kryeja rrahjen. Te ky nënkalim” thotë ai. Vendi është një rrugë e pashtruar, ndërsa përdoret nga banorët e zonës që e dinë atë si vend për të kaluar nga tokat. “Personi do të vinte me biçikletë” vijon 26 – vjeçari. Më pas, u tregon edhe banesën e objektivit, e cila është një shtëpi përdhese në afërsi të Stacionit të Trenit në Lushnje. I riu e çon grupin e Fiksit edhe te servisi dhe karburanti, të cilat janë anës rrugës Rrogozhinë-Lushnje. Madje, u tregon edhe automjetin “Hyundai”, të cili do e digjte, automjet i cili është në pronësi të familjes së objektivit.

Gazetarët e Fiks Fare interesohen te karburanti, për të pyetur nëse kanë apo jo ndonjë konflikt të hapur. Punonjësit u tregojnë se pronari i karburantit dhe i një servisi aty pranë janë grindur. “Nuk flasin fare, janë zënë me sherr. Kjo i ka sjellë me hekur me levë, i ka nxjerrë sytë. Jo ç’je ti, ç’jam unë. U kap duke i sjellë me hu e nuk e di mirë historinë. Një të vajtur e ankuar ky (pronari i servisit) i hëngri m… e mori gruaja përsipër. Gjuajti burri, e mori gruaja e para. Ndëjti nja gjashtë muaj arreste shtëpie, doli” thonë ata.

Shefi i krimeve, “të penduarit”: Mos rri si i dh…, dilu para!  

Në rrëfimin e tij, 26 vjeçari, shprehu rezerva për sjelljen e punonjësve të Policisë së Lushnjes për hetimin e këtij rasti. Madje, ai nuk është rimarrë në pyetje apo të paktën Policia e Lushnjes të njoftonte policinë e qytetit ku ai banon.

Pas këtij rrëfimi, denoncuesi shkon në Komisariatin e Policisë së Lushnjes për të pyetur se çfarë veprimesh janë bërë. Në hyrje të komisariatit, ai takon pronarin e makinës, të cilën ia ka sekuestruar policia. Më pas, shkon te Shefi i Krimeve dhe bisedon fillimisht për makinën. Oficeri i thotë se makinën do ia japë pronarit. Ndërkohë, i riu i shpreh shqetësimin për rrezikun që i kanoset, pasi ka bashkëpunuar me policinë. Por, shefi i Krimeve i thotë “mos u bëj budalla, dilu para”. Më tej ai i thotë se si quhej porositësi, ndërsa i riu ia tregon edhe njëherë. Shefi e mëson që mos të ketë frikë dhe të vijojë të jetojë i qetë pasi “kjo gjë është bërë”. “Mos rri si i dh… Mos u bëj budalla, s’ka ndodhur ndonjë gjë. Kjo që ndodhi, ndodhi” i thotë, ndërsa nga bashkëbisedimi duket sikur shefi është “shoku” dhe jo një inspektor policie. Madje, nuk i merr asnjë të dhënë se ku jeton apo të lajmërojë policinë lokale të vendbanimit të bashkëpunëtorit.

Pas indiferentizmit të Policisë së Lushnjes, bashkëpunëtori i policisë niset drejt Prokurorisë së Lushnjes, ku kërkon prokurorin. Ai pyet fillimisht në sekretari dhe i thonë një emër prokurori. Shkon në zyrën e prokurorit dhe prokurori i thotë “s’kam kohë, do të thërras vetë”.

Bisedat e denoncuesit në Komisariatin e Policisë së Lushnjes

Denoncuesi – Desha me taku…

Oficeri i rojës – Kë do takosh?

Denoncuesi – Atë shefin e madh.

Oficeri i rojës – Si ti them?

Denoncuesi –Thuaj ka ardhur ai çuni nga Durrësi.

Oficeri i rojës– A ke shqetësime?

Denoncuesi – Po kam shqetësime sa të duash, prandaj desha ta takoj.

Oficeri i rojës– Si e ke emrin?

Denoncuesi – F …

Oficeri i rojës– (Flet në telefon) Shefi, është paraqitur F…  do të llafoset me ty.

Polici – O F… hajde me mua te Shefi i Krimeve. Shefi i Krimeve.

Shefi i krimeve – Hë çfarë ke?

Denoncuesi – Kanë ardhur njerëz plot aty, ça të bëj?

Shefi i krimeve – Ku kanë ardhur njerëz?

Denoncuesi – Edhe tek porta, edhe tek shtëpia.

Shefi i krimeve – Po nuk të vjen njeri mo burrë, je në terezi. Nuk ja mban bytha njeriu mos ja fut kot. Po çfarë njerëzish, ty s’të kanë gjetur, ky ka ardhur e të ka kërkuar i makinës.

Denoncuesi – Edhe të tjerë. Kam ikur nga shtëpia.

Shefi i krimeve – Kush të tjerë?

Denoncuesi – Nuk e di nuk i njoh. Prandaj kam vendosur të flas me ju, thashë të paktën të ma gjeni një mbrojtje ju. Është kapur ai ?

Shefi i krimeve – Kush?

Denoncuesi – Klodiani?

Shefi i krimeve – Klodiani jo, s’na punojnë as kompjuterët mirë. Pa shihe një herë, ky është Klodiani?

Denoncuesi -Jo, jo, jo është tjetër.

Shefi i krimeve – Ik ore mos ki frikë, mos ki frikë se nuk do të bëj asgjë njeri.

Denoncuesi – Po me këtë të makinës, çfarë do bëhet?

Shefi i krimeve – Po do ia japim mo burrë. Ka ardhur ai çuni, më takoj mua. Do marrë makinën më tha, po i thashë do ta marrësh.

Denoncuesi -A është me gjobë makina?

Shefi i krimeve – Po çfarë gjobe është pa gjobë. Nëqoftëse është me letra të rregullta, nuk ka punë gjobe. Ti Klodianin takoje o burrë, pse nuk e takon Klodianin?

Denoncuesi – S’kam me ça me e taku.

Shefi i krimeve – Po ai të ka marrë në telefon?

Denoncuesi – Po telefonin e keni ju .

Shefi i krimeve – Ne sekuestruam telefonin?

Denoncuesi – Po e keni telefonin, portofolin, patentën, të gjitha i keni.

Shefi i krimeve – Po ti s’ke qenë në shtëpi, ty të ka kërkuar, ku do të takonte Klodiani? Ore ik e takoje Klodin, thuaj kusht, kusht.

Denoncuesi – Po kam frikë.

Shefi i krimeve – Pse se sqaron more burrë.

Denoncuesi – Po kam frikë.

Shefi i krimeve – Po çfarë frike, ça do të bëj, ça do të bëj?

Denoncuesi – Ku i dihet ça do të bëjë?

Shefi i krimeve – Sa budalla je, ku i dihet. Ore ti do ti thuash nuk e bën dot. Kështu, kështu ndodhi tani ça do bëj?

Denoncuesi – Përderisa vijnë me njerëz edhe tek shtëpia.

Shefi i krimeve – O hu, po vinë për të kërkuar për tu sqaruar për çfarë po vjen edhe ky (pronari i makinës që ka marrë me qira) po vinte për të sqaruar makina ku është? Për ça do vijnë për të sqaruar? Sqaroj gjërat more burrë, se kur i le kështu ti bredh kotë. Ti thua kam frikë, po nga se ke frikë? Të ka kërcënuar Klodi?

Oficeri i rojës– Me Klodin nuk jam takuar asnjëherë.

Shefi i krimeve – Këtë po them , ti pa u takuar, ti po thua po më vijnë tek shtëpia.

Denoncuesi – Po më vijnë përditë tek shtëpia.

Shefi i krimeve – Po takohu pra me njerëzit, thuaj ça kini, ku e kini hallin? Mos u bëj budalla, thuaj më kapen atje. Thuaj me dhunë me ashtu, pastaj qenka e vërtetë se këta kishin konflikt kështu thuaj mos e … Dëgjon ore.

Denoncuesi – Po.

Shefi i krimeve – Tani mos bëj se kam frikë të rri në shtëpi, ça do të bëjnë tek shtëpia?

Denoncuesi – Po tek shtëpia kanë ardhur njerëz, aty duke më kërkuar.

Shefi i krimeve – Po pra të thashë, ka ardhur ky sepse të kërkonte makinën. Tani po vjen e merr makinën. Ai boti ka ardhur për të sqaruar ore si do t’ia bëjmë? Ti do ta sqarosh atë kështu, kështu është puna. Unë s’e bëj atë punë, mbaroj filmi. Ça do të bëjë? Pse nuk e ashtu …

Denoncuesi -T’ju dalë para unë?

Shefi i krimeve – Po pra dilu, ça ka?

Denoncuesi – Kam ikur edhe nga shtëpia.

Shefi i krimeve – Nuk ke ça të ikësh nga shtëpia, se kot po e bën këtë tragjike. Ik atje përballu me ta dhe thuaju kështu, kështu ishte puna duke vajtur për atje, më kapen. Më bën ashtu, ça ka? Ti e ke faktin, ja je brenda në polici. Çfarë, se po bëj çudi, jo po më erdhi tek shtëpia, jo po bën kot. Ti sqaroj o vëlla, kështu është puna. Mos rri si i dh…. Thuaj kështu është puna, vajta për ta bërë. Ça do bëja, nuk e bëra dot, më kapen. Ça, ça do? Këta ta thashë edhe atë ditë që ishim këtu. Kështu, kështu! Takoje Klodin, thuaj kështu, kështu muhabeti. Siç më more mua në telefon merre edhe atë. E do numrin?

Denoncuesi – Po ma jep numrin.

Shefi i krimeve – Na numrin e Klodit. Ke telefon aty tani?

Denoncuesi – Kam telefon.

Shefi i krimeve – Ja merre kështu, kështu thuaj ti.

Denoncuesi -Po s’kam ofertë.

Shefi i krimeve – Mbaje këtë atje dhe o Klodi thuaj unë u tremba dhe ika qëndrova pak ditë andej se nuk e dija si do vejë.

Denoncuesi – Po e hapi telefonin, ta marrë në telefon ça të bëj?

Shefi i krimeve – Fol një herë, sqaroje mo burrë. Ç’punë ke në qoftë se pastaj të kërcënon a të bën ndonjë gjë merr një herë Durrësin, pastaj thuaj çfarë halli ke. Kështu bëje, boll ndëjte si i trembur, si i dh…

Denoncuesi – Po si i trembur se di…

Shefi i krimeve – Mbaroj ajo punë, u bë ça u bë kështu thuaj siç të thashë unë. Bëje bindëse, mos rri …

Denoncuesi – Po bindëse.

Shefi i krimeve – Thuaj kështu më thanë, do kishe vajtur me kohë, ke qëndruar kot.

Denoncuesi – Kam ndenjur i fshehur.

Shefi i krimeve – Ik atje o vëlla, se duke u fshehur do të thotë që siç the këtu o Klod kështu, kështu muhabeti. Dakord?

Denoncuesi – Në rregull.

Shefi i krimeve – Ik.

Denoncuesi – Mirupafshim.

Denoncuesi shkon te Prokuroria e Lushnjës

Denoncuesi – Si jeni?

Roja i prokurorisë – Mirë si je?

Denoncuesi – Kam bërë një denoncim në polici, që kam qenë shtyrë për ti rënë dikujt. Më kanë mbajtur patentën, telefonin, të gjitha.

Roja i prokurorisë – Kush prokuror e ka?

Denoncuesi – Vetëm se më thanë, ka ardhur patenta …

Roja i prokurorisë – Kush të tha?

Denoncuesi – Policia.

Roja i prokurorisë – Kush polic? Emri i policit?

Denoncuesi – Po s’ia di emrin.

Roja i prokurorisë – Po qysh, kotë në të … ? Sa ke që ta kanë bllokuar?

Denoncuesi – Ka një javë.

Roja i prokurorisë –Ti do të dish se kush e ka çështjen?

Denoncuesi – Kush e ka?

Roja i prokurorisë – Jepi emrin kësaj vajzës.

Sanitarja – Ja ta marrë pak atë gocën.

Roja i prokurorisë – Do të dish kush e ka marrë, kush prokuror? Çfarë emri ke?

Denoncuesi – F …

Roja i prokurorisë – Klaudja, një F… shiko kush e ka marrë nga prokurorët. Shikoje një herë me emër? Prokuror, Skënder Mistani. Do takosh atë.

Takimi me prokurorin

Denoncuesi – Si jeni? Ju jeni Skënderi?

Prokurori – Po.

Denoncuesi – Mua më kanë bllokuar patentën edhe ato …

Prokurori – Qa të quajnë ty?

Denoncuesi – F…

Prokurori – Po mbiemrin?

Denoncuesi – S…

Prokurori – Ëhë, kam gjyqe sot dhe s’kam kohë të merrem … (i mbyll derën).

FOTO GALERI
2/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA