E-maili/ Hakerat publikojnë sekretet e Nanos për të shumëkërkuarin Talo Çela: U pa në Tiranë para disa ditësh

19/09/2022 12:34

Një tjetër informacion tepër i rëndësishëm është hakeruar dhe është bërë publik nga e-maili i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Grupi i hakerave ka bërë publike të dhëna sekrete të policisë që shkëmben Ministria e Brendshme me ambasada të rëndësishme në vendin tonë.

Informacioni i marrë në mailbox-in e tij, të publikuar nga “Homeland Justice”, lidhet me të shumëkërkuarin Talo Çela, ku thuhet se prej disa kohësh është parë të lëvizë në Tiranë.

Sipas këtij E- maili Çela është parë teksa lëviz dy herë në Tiranë, në korrik dhe në gusht të këtij viti.

Burimi i Nanos tregon se më 5 Gusht 2021 pas orës 20.00, ai ka shkuar në një hotel me adresë tek Rruga e Dibrës, ku shoqërohej nga tre persona të tjerë që e ndiqnin me makinë, ndërsa vetë ishte në një automjet tjetër tip “AudiQ8”.

Vetë Çela në makinë thuhet se ndodhej së bashku me një grua dhe një fëmijë, herën e parë kur është parë më datë 25 korrik ndërsa herën e dytë është parë vetëm.

Ndër të tjera, Gledis Nano në këtë e-mail informon se i është thënë gjithashtu se i shumëkërkuari Çela, ka pasur kontakt edhe me Ervin Matën, të cilit i ka thënë se duhet të ketë kujdes nga kundërshtarët e shumtë. Burimi i informacionit të Nanos dyshon se Ervin Mata mund ta përdorë Talo Çelën për të eliminuar ndonjë nga kundërshtarët e tij.

E-maili i plotë:

Drejtoria e Antiterrorit ka administruar një  informacion  i cili bën fjalë  për personin në kërkim Talo Çela dhe disa lidhje me interes të tijë.

Sipas informacionit, personi në kërkim Talo Çela prej disa kohësh  është parë të lëvizë në Tiranë. Me datën 5 Gusht 2021 pas orës 20.00 ai ka shkuar tek një hotel me adresë  tek Rruga  e Dibres.  Atje ai ka shkuar i shoqëruar nga tre persona të tjerë të cilët kishin në përdorim nje mjet tip golf ngjyrë gri kurse vetë udhëton me një mjet tip Audio Q8 ngjyrë blu të errët me targa gjermane. Burimi ka informuar se në këtë objekt, Talo Cela ka qënë dhe para dy javësh, rreth datave 25-26 Korrik 2021. Herën e parë, Talo është parë na makiunë me një femër dhe një femijë kurse  me datën 5 ka qënë vetëm. Sipas informacionit, Talo ÇELA ka marrë kontakt me shtetasin Ervin Mata.Sipas burimit, Ervinit i kanë thënë se me këtë duhet pasur kujdes se ka shumë kundërshtarë dhe se mund ta vrasin. Ervini i është përgjigjur që le të bëjnë   cfarë të duan, për mua ka rëndësi që të mos më ndodhë  ngjarje  tek objekti im.Burimi i informacionit dyshon se Ervin Mata mund ta përdorë Talon për të eleminuar ndonjë nga kundërshtarët e tijë.

Ju  bëjmë me dije se nga ana jonë është këmbëngulur  se sa të sigurtë e ka burimi këtë informacion dhe ai ka ngulur këmbë se është tepër e sigurtë për këto takime dhe personi që e ka vënë në dijeni është lidhje e afërt e Ervin Matës dhe ngul këmbë që të ruhet pasi është një ndër përsonat e pakët që ka dijeni për takimet e Talos me Ervin Matën.

Kush është Talo Çela?

Ndërmjetës për porositë kriminale mes grupeve, një shofer i aftë të largonte vrasësit nga krimi, hakmarrës, vrasës gjakftohtë dhe përmbarues krimesh.

Kriminelët mes njëri-tjetrit i kanë ngjitur nofkën Lala, megjithëse emri zyrtar i tij është Talo Çela, 51 vjeç. Gjyqet ndaj të shumëkërkuarit në Gjykatën e Posaçme numërohen në seri ashtu si edhe akuzat që rëndojnë ndaj tij në mungesë, njëlloj si prokura që iu dha avokatit që këmbëngul se nuk e ka takuar ndonjëherë.

Por teksa për autoritetet emri i tij skedohet në 21 korrik 2015 për një krim banal si ai i ndërtimit pa leje në fshatin Bradashesh, Talo Çela kishte bërë rrugë të gjatë në krim.

Megjithëse sytë e policisë dhe të drejtësisë ishin të mbyllur deri ditën kur ata u hapën nga bashkëpunëtori i tij i parë Alkond Bengasi që e përmend emrin e Talo Çelës në mega-grabitjen e Rinasit.

Emri i tij del në sipërfaqe gjatë grabitjes së 2019, ku raportohet se u grabitën 4.6 milionë euro dhe mbeti i vrarë Admir Murataj.

Rrëfimtari tjetër i drejtësisë që i përsëriti autoriteteve se Talo Çela ishte kthyer në një personazh të rrezikshëm ishte i penduari tjetër Klevis Alla që tregoi se si Talo Çela u implikua në vrasje të pamëshirshme dhe të dyfishta në Durrës teksa garantoi largimin e të dyshuarëve.

Ndaj tij policia vendos për herë të parë shpërblim në 2020 në vlerën e 10 mijë eurove, por në 43 raste policia u kthye duarbosh pa të shumë kërkuarin, pse jo edhe të tradhtuar mes njëri-tjetrit.

I treti Nuredin Dumani e përshkruan atë si një njeri që mbante mjetet e duhura për të shpërthyer dyer të blinduara atëherë kur grupi mori informacion se në një banesë gjendeshin 500 mijë euro, se Talo Çela mori porosi për të vrarë Fatmira Dedën nënën që kërkonte drejtësi dhe që u tradhtua nga shteti i saj.

Për ta kryer vrasjen ashtu si e porositi Festim Qoli të tillë që të ngjante si grabitje, Talo e rrahu e mandej e goditi me thikë, duke i marrë çantën teksa më herët kishte pohuar se largimi nga skena e krimit do ishte më i lehtë në rast se kryhej në afërsi të varrezave.

Një i shumë kërkuar për të cilin u vendos 5 kilogramë eksploziv që të shembej gjithçka nga banesa e cila tanimë është e braktisur. Por gjithashtu një njeri që e takoi Nuredin Dumanin dhe e bëri mik mbasi ai kishte dalë nga burgu i tha “kemi shumë punë“, duke nënkuptuar se Durrësi ishte njëherazi një qytet i nëndheshëm krimi. Një mik që e ktheu armik Nuredin Dumanin i cili pistoletën që ia dhuroi Talo Çela ia drejtori të vëllait të tij Bujar Çelës. Kur ajo nuk shkrepi armiku më i ri i të shumë kërkuarit urdhëroi dy të tjerë ta vrisnin medoemos.

I divorcuar dhe baba i një vajze, për banorin e Bradasheshit nuk dihet më asgjë. Teksa Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj kanë filluar të flasin, jo vetëm për atë, por edhe për të tjerë.

Lajmi në përditësim…

Top Channel