Sulmet kibernetike të Iranit, Veliaj takon anëtarin e Komitetit të Inteligjencës së Senatit amerikan

18/09/2022 12:43

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u takua në Uashington me Senatorin e Teksasit, John Cornyn, që është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit.

Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan: “Shume i lumtur për takimin miqësor me Senatorin e Teksasit, John Cornyn, nga Komiteti i Inteligjencës së Senatit në Uashington.

Një mik i Shqipërisë dhe vizitor i saj, ai kishte shume dëshire të mësonte për sulmet e fundit kibernetike të Iranit ndaj një vendi anëtar të NATO-s dhe rolin e Tiranës si Kryeqyteti Rinor Europian”, thekson Veliaj.

Veliaj ndodhet për një vizitë në Uashington, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan.

Ai u prit edhe nga kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi, ish kandidati për President të SHBA-së, senatori Mitt Romney, kryetari i Senatit Amerikan, Chuck Schumer dhe shumë zyrtarë të lartë amerikan.

Top Channel