Ekzekutohet me breshëri plumbash brenda lokalit 19-vjeçari në Shkodër! Autorët largohen me motorçikletë

18/09/2022 20:30

Një 19-vjeçar është ekzekutuar këtë të diel në Shkodër, teksa po kalonte mbrëmjen në një nga lokalet e qytetit.

Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”.

Erjon Xhenje, ishte brenda lokalit, kur drejt tij është qëlluar disa herë me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend.

Dyshohet se atentati është zhvilluar nga dy persona që po lëviznin me motorçikletë.

Njëri prej tyre ka zbritur me shpejtësi dhe është afruar drejt lokalit duke qëlluar me breshëri plumbash drejt Erjon Xhenjes. Më pas, dy personat e paidentifikuar janë larguar nga vendngjarja.

Pak minuta më pas, policia ka gjetur në lagjen “Guerrile” një motorçikletë të djegur dhe një armë tip pistoletë, që dyshohet të jetë arma e krimit.

Grupi i hetimit ka nisur mbledhjen e provave në skenën e krimit, ndërsa larguan trupin e pajetë të 19-vjeçarit.

Ngjarja tronditi qytetarët e pranishëm në zonë, teksa ndodhi vetëm disa minuta pasi në qytet kishte përfunduar ndeshja Vllaznia-Kastrioti.

Atentatet janë bërë lajme rutinë për qytetin verilindor të Shkodrës.

Në fillim të këtij muaji në lagjen “Guerrile” u qëllua për vdekje një 57-vjeçar. Ismet Çekorja ndodhej pranë banesës së tij kur u qëllua për vdekje nga një person që po ashtu udhëtonte me motor dhe kishte mbuluar fytyrën duke mbajtur skafandë.

Në mbrëmjen e 25 gushtit u ekzekutua një tjetër i ri. Tornato Fusha dhe Bajram Cerkoja qëlluan 19 herë drejt mjetit tip “Audi”, që drejtohej nga 25-vjeçari Alban Bruçaj. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hakmarrje, pasi shënjestra e sulmit Albano Bruçaj ka plagosur me parë Tornato Fushën.

Në 23 gusht u ekzekutua në Vaun e Dejës nga miku i tij, Agron Metushi Hasani. Alfons Palushi, që sapo ishte kthyer për pushime nga Anglia konsumoi alkool me viktimën në një lokal nate. Më pas mes tyre nisën debate, që u bënë shkak që Palushi të vriste mikun e tij.

Duke shkuar edhe më pas në kohë, ekzekutimet mafioze, për hakmarrje apo motive të dobëta, janë të shumta në Shkodër, ndërsa rastet kur autorët kapen dhe ngjarjet zbardhen nga policia, janë të pakta.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel