Ndërpritet dhënia e pasaportave/ Sulmet kibernetike, “Aleat” nuk do ofrojë shërbim, “ishte provë”

16/09/2022 15:02

Shërbimi për dokumentet biometrike në zyrat e aplikimit të ALEAT-it është ndërprerë ditën e premte, datë 16 shtator.

Ne ndodhemi në zyrën e ALEAT-it në Njësinë Administrative 11, Tiranë.

“Nuk punon sistemi, është e mbyllur zyra. Duhen shenjat e gishtave dhe pa sistem nuk e bën dot këtë proces. Unë jam duke bërë kartën e identitetit. Na kanë thënë se sistemi do të punojë nga e hëna, atëherë do të paraqitem sërish. I kam bërë të gjitha procedurat, si kuponi dhe aplikimi, karta është gati, por nuk ka sistem. Mua më duhet karta e identitetit, sepse është dokument dhe pa të nuk bën dot asgjë”, tha njëri prej qytetarëve.

“Është e mbyllur kjo zyrë. Nuk ka sistem thonë”, tha një qytetar tjetër.

Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ka njoftuar një ditë më parë, se ndërprerja e punës në zyrat e ALEAT-it bëhet në kuadër të masave, që po ndërmerren për të rritur nivelin e sigurisë, pas sulmeve kibernetike që kanë goditur së fundi vendin tonë.

Top Channel