Gjykata e posaçme antikorrupsion e konsideroi absurd hetimin e SPAK ndaj komisioneres së vettingut Etleda Çiftja, ndaj të cilës më herët u kërkua dënimi me 2 vjet shërbim prove.

E akuzuar nga SPAK për falsifikim dhe për deklarim të rremë të pasurisë , Etleda Çiftja u shpall e pafajshme , pasi faktet nuk përbënin vepër penale. Gjithë procesi hetimor i SPAK u rrëzua me nota kritike nga Gjykata e Posaçme që tha se nuk ekziston asnjë rast i ngjashëm në praktikën shqiptare si ai i hetimit të komisioneres.

Por procedimi i SPAK bazohet në deklaratat e pasurisë së zyrtares së vettingut dorëzuar pranë ILDKPI , ku ajo pranon  se për të blerë një apartament me kredi,  kishte blerë fiktivisht nga prindërit 2 sipërfaqe me tokë, që në të vërtetë ajo i posedonte më herët sipas ligjit 7501. Gjykata vlerësoi se deklarata ishte një stimulim për ti siguruar lehtësi Çiftes gjatë marrjes së kredisë dhe se ky veprim nuk ishte vepër penale, dhe as shkelje administrative.

“Ky hetim ishte për të goditur reformën në drejtësi”- tha Etleda Çiftja

Gjykata e posaçme theksoi se SPAK duhet ta kishte pushuar hetimin dhe të mos e dorëzonte në gjykatë komisioneren, mbasi shtëpia e blerë me kredi rezulton se u deklarua më pas nga zyrtarja pranë ILDKPI.

Kjo nuk ishte as dhuratë dhe në këtë rast nuk kishte fshehje pasurie tërhoqi vëmendjen gjykata. Etleda Çiftja është komisionerja e tretë e vettingut e hetuar nga SPAK. Mbas kësaj humbjeje, prokuroria e posaçme ka 15 ditë për të vendosur nëse do të tërhiqet apo do të këmbëngule dënimin e komisioneres në apel.

Top Channel