Seanca gjyqësore në ngarkim të Arbër Paplekajt, i dyshuar për vrasjen e Pjerin Xhuvani në 21 Prill 2021 në Elbasan është shtyrë për të tretën herë.

Në të njëjtën çështje po shqyrtohen edhe 8 punonjësit e policisë së Elbasanit, dy ish-drejtoret, Niko Palla dhe Albert Nushi dhe 6 efektivët e forcave “Shqiponja” të akuzuar për shpërdorim detyre.

Avokatët kanë kërkuar shtyrjen e seancës pasi pretendojnë se nuk janë njohur aktet. Nga ana tjetër avokati i Paplekajt thotë se nuk ka arsye për shtyrjen dhe vetë është i njohur me aktet.

Kujtojmë se dosja e 21 prillit 2021 ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani shqyrtohet e përbashkët.

Pra, Arbër Paplekaj i akuzuar për vrasje me dashje; dy ish nëndrejtorët e policisë së Elbasanit dhe 6 efektivë të repartit “Shqiponja”. Seanca e radhës është planifikuar të mbahet më 23 shtator.

Momenti i vrasjes dhe Arbër Paplekaj

Si ndodhi vrasja? 

Në 21 prill të vitit 2021, gjatë një përplasje me armë mes dy grupimeve politike mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani, në atë kohë eksponent i PS-së, ndërsa mbetën të plagosur 4 persona të tjerë mes të cilëve edhe një punonjëse policie.

Pas ngjarjes, në polici u vetëdorëzua si autor i krimit Arbër Paplekaj, shoqërues i drejtues politik të PD të Elbasanit në atë kohë Gazmend Bardhi.

Paplekaj, ish-efektiv i Reneas qarkullonte në Elbasan i armatosur si pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës, strukturë e cila ishte ngritur nga PD në të gjithë vendin.

Top Channel