“Miliona euro ndërhyrje estetike në klinikat VIP me para të padeklaruara”! Meta e Kryemadhi kallëzohen sërish në SPAK për korrupsion e fshehje të ardhurash

15/09/2022 11:29

Një tjetër kallëzim për korrupsion dhe fshehje të ardhurash është dorëzuar në SPAK për ish-presidentin Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhin.

Kallëzimi, është bërë nga avokati Idajet Beqiri, që kërkon hetim ndaj Metës për “fshehje të ardhurash” dhe “kurrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Beqiri thotë se si avokat, por dhe si drejtues i Partisë së Unitetit Kombëtar, ka siguruar të dhëna që ngrenë “dyshime të arsyeshme se nga ana e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, janë konsumuar veprat penale të cituara në objektin e kallëzimit”.

Ai thotë se faktet dhe dokumentet që zotëron për Metën dhe Kryemadhin, të cilat do t’i depozitojë në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion.

Sipas Beqirit, Meta, Kryemadhi dhe fëmijët e tyre kanë kryer trajtime estetike që arrijnë vlera marramendëse në një klinikë private në San Marino.

Të dhënat e çiftit gjenden në kartelat mjekësore të spitalit dhe provohen me hyrje-daljet e sistemit TIMS, thotë ai dhe përmend një rast kur trajtimin estetik e ka bërë deputetja.

Sipas transfertës së datës 4 qershor 2018, paguar nga një llogari anonime nga një bankë offshore në Qipro, trajtimi kap vlerën e 287.650 euro.

Asnjëra nga këto pagesa nuk është deklaruar në deklaratat vjetore të tyre, që do të thotë se kanë paguar me para të përfituara nga aferat korruptive, që i kanë futur në bankë në rrugë të jashtëligjshme. Si në regjistrat financiarë të spitalit, pagesat bankare të spitalit, kartelat mjekësore dhe hyrje-daljet në sistemit TIMS, rezulton se kjo shtetëse ka bërë ndërhyrje dhe pagesa në vlera të mëdha në spitalin e San Marinos.

Ndërsa Ilir Meta, thotë Beqiri, gjatë viteve 2013-2014, ka kryer ndërhyrje estetike në Vjenë, me qëllim dobësimin.

“Ndërhyrjet janë kryer nga shefi i pavionit të obezitetit në spitalin e Vjenës, Gerhard Prager. Janë shumë të kushtueshme dhe kërkohen trajtime të mëvonshme për të mbajtur në kontroll estetikën”.

As këto ndërhyrje nuk janë deklaruar në deklaratat periodike vjetore 2013-2014, thotë avokati, ç’ka ngre dyshime këto pagesa janë bërë nga para të gjetura në mënyrë të jashtëligjshme.

Në muajin qershor, Ilir Meta së bashku me Monika Kryemadhin u kallëzuan për herë të parë në SPAK.

Me dyshimet se ish-kreu i shtetit ka pastruar para, kryer korrupsion dhe shpërdoruar detyrën, ish-deputet i parlamentit, Halit Valteri, depozitoi kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme.

Në padi thuhet se referuar këtyre të dhënave krijohet dyshimi se politikanë të përfolur si është rasti i Metës kanë qarkulluar para të përfituara nga aferat korruptive duke i pastruar dhe futur në sisteme bankare në rrugë të jashtëligjshme për t‘i përdorur ato për qëllime dezinformimi për votuesit shqiptarë.

Top Channel