Lobimi rus në partitë politike/ Kim pas takimit në KQZ: E rëndësishme, transparenca në financimin e fushatave politike

15/09/2022 15:06

Ambasadorja e SHBA-së thekson rëndësinë që ka transparenca në financimet e partive politike, për t’u mbrojtur nga kërcënimet e fshehta ruse.

Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Kim ka komentuar takimin që zhvilloi sot në KQZ me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike parlamentare. Takimi erdhi pas lajmeve të një dite më parë në mediet ndërkombëtare se Partia Demokratike, në vitin 2017, ka pranuar financime të fshehta nga Moska, për fushatën e atëhershme zgjedhore.

“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion.

Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve“, shkruhet në reagimin e ambasadës amerikane në “Twitter”.

Top Channel