Dosja e SHBA-së për 300 milionë dollarët e financuar nga Rusia në njëzet shtete nisi të përgatitej muaj më parë, kur Joe Biden ishte tashmë në Shtëpinë e Bardhë.
Informacioni dhe verifikimet iu besuan zyrtarëve të Departamentit të Thesarit në bazë të të dhënave të mbledhura nga CIA, por pa përfshirë Sigurinë Kombëtare.
Ky është informacioni i parë i dërguar qeverisë italiane nga Shtetet e Bashkuara përmes kanaleve diplomatike dhe atyre të inteligjencës. Një raport që megjithatë nuk zgjidh çështjen vendimtare për praninë e Italisë në listën e shteteve ku rreshtohen parti dhe politikanë “në listën e pagave”.
“Për momentin nuk dihet, por gjërat mund të ndryshojnë”, tha presidenti i komitetit për sigurinë kombëtare në parlamentin italian, Adolfo Urso që u nis menjëherë në një udhëtim në Uashington. në mbrëmje, ai shkruante në Twitter: “Sapo përfundova një takim pozitiv në Departamentin e Shtetit”, me foton e dy flamujve.
Megjithatë, tensioni në një fushatë elektorale të shënjuar tashmë nga dyshimet mbi ndërhyrjet nga jashtë, mbetet shumë i lartë. Pas filtrimit të lajmit për ekzistencën e raportit të martën në mbrëmje, nuk mbërriti ndonjë komunikim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara për vendet e përfshira. Në të vërtetë, në shënimet informale të këtyre orëve, thonë mediat italianë, saktësohet se dosja nuk do t’u dorëzohet ende qeverive të huaja sepse është e “klasifikuar”.
Analistët italianë besojnë se “bomba” e hedhur nga Amerika mund të jetë në fakt një lloj paralajmërimi lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj Washingtonit dhe një arsye për ta shtyrë ekzekutivin në detyrë të kërkojë informacione të qarta mbi elementët e mbledhur nga zyrtarët amerikanë. Shtypi Italian thotë se zgjedhja për të filtruar pjesërisht rezultatet në këto ditë ethesh zgjedhore në Itali mund të kthehet në një akuzë për ndërhyrje në fushatën elektorale në funksion të votimeve të 25 shtatorit, aq më tepër duke marrë parasysh, shton ai, se në SHBA qarkulluan thashetheme për kushtëzimin e votimit në Shqipëri, Mal të Zi, Ekuador, Madagaskar, etj.
Top Channel