Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti thotë se Evropa duhet të shprehet qartë se synimi i bisedimeve për normalizim me Serbinë është një marrëveshje për njohje reciproke.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Hoti i cili ndodhet për një vizitë në Uashington, tha se edhe çështje si ajo për asociacionin duhet të diskutohen pikërisht në kontekstin e kësaj njohjeje. Në intervistën me gazetaren Keida Kostreci, zoti Hoti kritikoi qasjen e qeverisë Kurti në përballjen me problemet e brendshme të vendit, duke paralajmëruar se kjo mund të ndikojë në përkeqësim të situatës, përfshirë në fushën ekonomike dhe fushën sociale.
Zëri i Amerikës: Flasim fillimisht për dialogun. Siç e pamë zoti Lajçak ishte sot në Prishtinë për një vizitë të pa paralajmëruar dhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shpresojnë për nxitjen e këtij dialogu. Si e shihni ju procesin dhe çfarë parashikoni këtej e tutje?
Avdullah Hoti: Besoj se është një moment i mirë duke parë interesimin e shtuar të partnerëve tanë ndërkombëtar, Shteteve të Bashkuara në veçanti dhe përfaqësuesit që ata e kanë caktuar, emisarin special për Ballkanin Perëndimor që e mbulon edhe çështjen e dialogut, zotin Escobar. Më pas e kemi përfaqësuesin e qeverisë gjermane dhe këshilltarin e lartë të presidentit Macron dhe përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor nga Britania dhe zotin Lajçak, pra ka një koordinim më të mirë po duket nga sa ka pasur në të kaluarën. Ajo që po mungon është qartësia në gjithë këta partnerë në qëllimin final të dialogut që është arritja e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë qenë shumë të qarta edhe me letrat e fundit që kemi parë nga presidenti Biden dhe Sekretari Blinken. Por e njëjta gjë kërkohet edhe nga partnerët evropianë për të bërë presionin e nevojshëm ndaj Serbisë për të ardhur tek marrëveshja përfundimtare dhe nevojat që kemi ne brenda Kosovës për koordinim më të mirë dhe transparencë të plotë për këtë proces të dialogut dhe që është duke munguar.
Zëri i Amerikës: Pra, ju thoni që kjo lloj paqartësie dhe si duket një ndryshim mes qëndrimit të SHBA-së dhe BE-së gjithashtu krijon pengesa edhe për procesin e mëtejshëm?
Avdullah Hoti: Unë nuk besoj që ka qëndrime të ndryshme, por është më shumë qartësia pse po hymë tani në fazën finale të dialogut? Unë e kam parasysh që brenda BE-së ka ende vende që nuk e njohin Kosovën, por gjërat duhet thënë qartë që ky është proces për marrëveshje për njohje reciproke dhe normalizim marrëdhëniesh. Nuk është proces teknik për të arritur marrëveshje të caktuara teknike në terren pavarësisht sa të rëndësishme ato marrëveshje janë, por është një proces që duhet ta përmbyllë njëherë e përgjithmonë çështjen mes të dy vendeve në rajon.
Zëri i Amerikës: Një nga pikat që kanë ngritur diplomatët perëndimor është ajo për të siguruar mbrojtje për pakicën serbe. Sipas disa vëzhguesve kjo nënkupton një Asociacion të Komunave me shumicës serbe me më shumë fuqi se sa kërkon Prishtina zyrtare dhe me më pak se sa kërkon Beogradi. Sipas jush si mund të duket ky lloj Asociacioni?
Avdullah Hoti: Për të qenë i qartë besoj se të gjithë e pranojnë që pakica serbe, komuniteti serb në Kosovë është shumë i mbrojtur. Standardet që ne i zbatojmë ndaj pakicave janë ndoshta më të lartat në Evropë. Problemi është ndikimi i Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë. Janë bërë përpjekje në të kaluarën për të integruar komunitetin serb brenda institucioneve me anën e marrëveshjeve të arritura në qeveritë paraprake disa prej të cilave marrëveshje edhe qeveria tani është duke i zbatuar. Problemi mbetet që Serbia vazhdon të ketë ndikim tek komuniteti serb në Kosovë duke e penguar integrimin e tyre të potë në jetën ekonomike dhe shoqërore në Kosovë.
Zëri i Amerikës: Zoti Escobar ka thënë që nëse Prishtinës nuk i pëlqen ajo marrëveshje që është bërë për Asociacionin atëherë le të vijnë me propozim të vetin. Cili është mendimi juaj?
Avdullah Hoti: Marrëveshja për Bashkësinë e Komunave me shumicës serbe në Kosovë është arritur në Bruksel dhe është shumë e qartë që kjo Bashkësi e Komunave nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ajo që është shumë e rëndësishme atëherë me qeverinë (e udhëhequr nga ish kreu i LDK-së, Isa) Mustafa është insistuar dhe është bërë pjesë e marrëveshjes një pikë e cila thotë që statuti i Bashkësisë përpara se të miratohet nga qeveria e merr miratimin ose opinionin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe këtë fakt e ka pranuar edhe Serbia. Kështu që besoj se gjërat janë të qarta. Krejt këto çështje duhet të diskutohen në kontekst të marrëveshjes përfundimtare për njohjen reciproke. Nuk guxohet dhe unë këtu besoj që qeveria e Kosovës po bën gabim, nuk guxojmë që të lëshohemi në çështje të caktuara, nuk po them teknike se të gjitha janë politike, por në çështje të caktuara që nuk janë pjesë e marrëveshjes finale. Ne tash duhet të kërkojmë koordinim të plotë për arritje të marrëveshjes finale në mes të dy vendeve.
Zëri i Amerikës: Por ju keni qenë në një pozicion të tillë si kryeministër. Po të ishit ju në pushtet, ose kur ishit në pushtet, a nuk i pranonit këto lloj marrëveshjesh?
Avdullah Hoti: Kur kam qenë unë kryeministër e kemi kornizuar procesin e dialogut dhe e kemi filluar procesin e dialogut për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke nën parimet kryesore që nuk diskutohet integriteti territorial i vendit, nuk diskutohet karakteri unitar i shtetit të Kosovës që e përjashton Asociacionin me kompetenca ekzekutive dhe çdo gjë që bisedohet, bisedohet në kontekst të marrëveshjes përfundimtare. Nuk pajtohemi për asgjë derisa nuk pajtohemi për marrëveshjen për njohje reciproke. Braktisja e kësaj kornize të dialogut nga qeveria ekzistuese besoj që e ka futur në telashe, në rrugë pa krye qeverinë.
Zëri i Amerikës: Të flasim pak për marrëdhëniet në mes të shumicës dhe opozitës. Debati qe i ashpër sot në parlament. Si e shikoni ardhmërinë e këtyre marrëdhënieve dhe si e shikoni zgjidhjen e këtyre problemeve të politikës së brendshme?
Avdullah Hoti: Unë besoj që ballafaqimet pozitë – opozitë duhet t’i shohim në kontekst të demokracisë së brendshme që duhet të ketë secili vend. Por, në rastin tonë, unë besoj që qeveria ka shkuar bukur larg në konfrontim, jo vetëm me opozitën, sepse për nga natyra ne presim që të kemi ballafaqim për jetë më të mirë të qytetarëve mes pushtetit dhe opozitës, por ka hapur front me të gjitha grupet e shoqërisë: me sindikatat, me komunitetin e bizneseve, me mediat edhe me grupet e tjera. Unë besoj që kjo është totalisht e papërgjegjshme. Ne jemi duke e kryer punën tonë si opozitë në Kuvend edhe jashtë Kuvendit duke u ofruar zgjidhje, por qasja e qeverisë në përballje me këto probleme me të cilat po kalojmë nuk është adekuate dhe besoj se mund të presim përkeqësim të situatës në terren, në fushën ekonomike, në fushën sociale e fillim të krizës ekonomike, me inflacion, me krizën energjetike dhe tash ballafaqimi krejtë i panevojshëm me sindikatat. Kërkesat e Sindikatave janë plotësisht të arsyeshme. Pozita fiskale dhe financiare e qeverisë është shumë e mirë për shkak të hyrave që ka pasur nga rritja e çmimeve dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos plotësohen këto kërkesa të sindikatave deri në miratimin e ligjit të pagave.
Top Channel