Rritja e pensioneve/ Përfitojnë 700 mijë vetë, por është pasojë e indeksimit

14/09/2022 15:16

678 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë nga indeksimi i pensioneve.

Vendimi është miratuar sot nga qeveria dhe parashikon indeksimin në masën 6% dhe shtrin efektet duke nisur nga pensioni i muajit shtator e në vijim.

“Nga ky vendim përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve. Me këtë indeksim të dytë prej 6% ne e çojmë rritjen e pensioneve ne nivelin 9.5 për qind. Nga ky vendim përfitojnë rreth 678 mijë pensionistë, të cilët nga pensioni që do të marrin në tetor, pra ky vendim hynë në efekt që në pensionin e muajit shtator, do të kenë një rritje prej 9.5%”, tha Delina Ibrahimaj.

Rritja e pagës minimale me 2 mijë lekë është një tjetër vendim i miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, një tjetër masë e marrë në paketën e dytë antikrizë. Me këtë rritje, e dyta për këtë vit, paga minimale në shkallë vendi shkon në 34 mijë lekë.

“Me vendimin e sotëm paga minimale do të hyjë në fuqi në nivelin 34 mijë lekë. Mbi 200 mijë të punësuar që përfitojnë nga ky vendim”, u shpreh Delina Ibrahimaj.

Janë rreth 900 mijë qytetarë që përfitojnë nga rritja e pagës minimale dhe indeksimi i pensioneve, masa të ndërmarra në paketën e dytë sociale për të përballuar rritjen e çmimeve që ka goditur jo pak familjet shqiptare, veçanërisht ata me të ardhura të ulëta.

 

Top Channel