Me qindra mijëra vetë presin ne Londër procesionin e arkëmortit të mbretëreshës Elisabetë, dhe vendosjen e trupit të monarkes në Westminster Hall për homazhe, ku do të qëndrojë deri në 19 shtator, data e ceremonisë së varrimit.
Arkivoli i mbyllur do të jetë i mbështjellë me një flamur mbretëror,dhe do të mbështetet në një platformë të ngritur të quajtur katafalkë, e cila është e rrethuar gjatë gjithë kohës nga roje ushtarake.
Një kurorë dhe objekte të tjera mbretërorë vendosen tradicionalisht në pjesën e sipërm të arkivolit të një sovrani. Çdo cep i platformës mbikëqyret 24 orë në ditë nga njësi të truprojës së sovranit, trupa këmbësorie apo regjimenti i kalorësisë.
Radhët e njerëzve parashikohet të jenë të gjata e të lodhshme, pasi mund t`i duhet të presin me orë të tëra e ndoshta edhe gjatë gjithë natës për t`i bërë monarkes nderimet e fundit. Njerëzit nuk do të kenë mundësi as të ulen, duke qenë se radha është vazhdimisht në lëvizje. Priten po kështu dhe mbyllje rrugësh e vonesa në transportin publik.
“Mbretëresha ka shumë rëndësi për mua, e respektoj thellësisht. Është i vetmi person që kam njohur gjatë gjithë jetës sime që është kujdesur për të gjithë, mendoj se ajo e meriton që unë të rri të pres këtu sot. Madje, do të kisha bërë edhe më shumë po të mundesha”, tha Jackie Carter, muzikante.
“Nuk kemi fjetur fare të them të drejtën, por u kënaqem. Kishim shoqëri shumë të mirë, e kjo na e lehtëson pritjen”, tha Patricia King, pensioniste.
Mbretëresha Elizabeth II u shua në moshën 96-vjeçare ne kështjellën e saj të Balmoralit, në Skoci në 8 shtator. Trashëgimtari i fronit është djali i saj i madh, i cili do të njihet me emrin Karli i III. Britania është monarki kushtetuese dhe demokracia parlamentare funksionon që nga viti 1688.
Top Channel