Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës një ngjarje të rëndë, të ndodhur brenda një familje në një fshat të Fierit.

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërriti një informacion nga banorët e zonës, të cilat thanë se një vajzë me aftësi të kufizuara dyshohej se ishte abuzuar seksualisht nga babai i saj. “Dua të denoncoj një rast të dyshuar si përdhunim i një vajze me prapambetje mendore nga babai i saj. Bëhet fjalë për një ngjarje në një fshat të Fierit.

Rasti është mbajtur i fshehur për momentin si nga spitali i Fierit dhe nga policia. Babai i vajzës është paraqitur në spital javën e kaluar me damarë të prerë, pasi ka tentuar vetëvrasjen kur djali i tij i ka gjetur në flagrancë dhe i ka thënë se do të denoncoj në polici” ishte informacioni, që vijonte se vajza nuk ishte marrë në mbrojtje dhe vazhdonte të jetonte me babain abuziv, pasi vëllai i saj është gjithë ditën në punë.

“Dhe nëna e vajzës nuk jeton, ka vdekur dy vite më parë. Jemi të shqetësuar për këtë person abuziv, pasi është akoma i lirë dhe mund të vazhdojë të abuzojë si me vajzën e tij, por dhe mund të abuzojë dhe me dikë tjetër të dobët apo të pafuqishëm të mbrohet. Duhet të vihet para drejtësisë” vijonte informacioni.

Gazetarët e Fiks Fare udhëtuan drejt këtij fshati, ku fillimisht pyetën në Ambulancë. Infermierja kishte dijeni për ngjarjen në fjalë, pasi kishte dëgjuar shumë persona që flisnin për një gjë të tillë. Por, ajo u mjaftua se “nuk kam parë vetë gjë”. Të gjithë në fshat kishin informacion, ndërsa gazetarët pyesin edhe në lokalin e lagjes. Ashtu si infermierja, edhe banorët e tjerë përmendin abuzimin e të atit ndaj vajzës me aftësi të kufizuara.

Pas denoncimit dhe informacionit nga fshati, gazetarët e Fiks Fare shkojnë në shtëpinë ku dyshohej se ndodhi abuzimi. Bisedojnë me vajzën dhe vëllanë e vajzës, të cilët pranojnë se ka pasur një tentativë të babait të tyre për të abuzuar. “Unë njoftova 127 dhe më thanë që po nuk erdhi policia nuk vijmë. Mora 112 më thanë po dërgoj postën më të afërt. Më pyeti edhe mua, ti kur hape derën çfarë po bënte babai? I thashë po tentonte të kapte cepin e divanit që të ngrihej se nuk kishte pikë fuqie më. Po çfarë t’i bëjmë ne atij, ai gjithmonë pi” thotë vëllai i vajzës. Nga ana tjetër, vetë vajza thotë se “kam frikë se mos e bën prapë, do ta ruaj”.

Fiksi bisedon edhe me inspektorin e policisë së zonës, z.Ferrik Hoxha, të cilin e gjen në një lokal shumë afër shtëpisë ku dyshohet se ndodhi edhe abuzimi. Fillimisht, inspektori bën të paditurin, pasi “e kam marrë vesh nga të tjerët, se si është muhabeti aty unë nuk kam marrë kontakt fare as në ngjarje”. Por më pas thotë se “është një veprim shumë i ulët”. Më tej pranon se “vajza ka të drejtë dhe duhet të mbrohet dhe duhet të mbrohet se s’bën”. Madje, ai i thotë gazetarëve të Fiks Fare se “di edhe disa raste më përpara që i dinte e ëma”. “Ma tregoi me kunatën e parë, dikush ka abuzuar . I thashë përse nuk erdhe të bësh denoncim që kanë abuzuar me vajzën. Mi tregoi disa persona, por nuk e di. Seksualisht ka një rast më parë nga kunata”. I pyetur se nëse mund të ndodhë sërish një gjë e tillë, ai thotë se “edhe mund t’i ndodhi, në atë familje po. I ati është qen bir qeni burrë për mua. Hajde shkojmë bashkë. Për të bërë veprime e për t’ia kaluar tjetrit është njësh ai zagari”.

Inspektori kishte informacione se ngjarja ka ndodhur. Madje, e ëma e vajzës i ka treguar edhe emrat e disa personave të tjerë që kanë abuzuar. Por, gjithmonë, ngjarjet nuk janë referuar në prokurori. Bashkë me inspektorin, gazetarët e Fiksit rikthehen te shtëpia. Vajza pranon se babai ka qenë sipër saj. “Unë po flas të vërtetën. Kur hap derën, i thashë çfarë po bën? Ja do ta shikosh ti më tha. Ishte sipër motrës dhe po kapte cepin e divanit që të ngrihej” thotë vëllai i vajzës, ndërsa pohoi se babai “pantallonat kishte veshur, po bluzë dhe kantiere jo”.

Më tej vajza thotë se “isha kështu unë shtrirë, ai ishte këtu lart mbi mua në brinjë. Ishte hera e parë dhe më tunde mua. Unë kam frikë se do ta bëj prapë. Do ta ruaj” tha vajza.

Banorët e zonës thanë se ngjarjet në atë banesë kanë ndodhur në mes të muajit gusht 2022. Ndërkohë, grupi i Fiks Fare  ka shkuar sërish në atë familje, për të pyetur nëse policia e Fierit kishte bërë apo jo ndonjë veprim. Por, sërish asnjë veprim nuk ishte kryer, megjithëse inspektorët e zonës deklaruan se e kanë referuar materialin në organin e akuzës.

 

Fiksi interesohet në Drejtorinë e Policisë së Fierit, ku pas disa ditësh na vjen një përgjigje se kanë pasur informacion vetëm për tentativën e vetëvrasjes nga T.K., 65 vjeç. “Në asnjërën nga strukturat e Policisë së Fierit nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë denoncim, indicie apo pretendim, nga asnjë shtetas, se një shtetase me aftësi të veçanta ngacmohet seksualisht nga babai i saj. Duke qënë se nuk kemi pasur asnjë indicie për një rast të tillë ngacmimi, shërbimet e Policisë nuk kanë pasur asnjë bazë/motiv ligjor përse të njoftojnë shërbimet mbështetëse sociale apo të Bashkisë, apo të ngrenë pyetje për familjarët, me objekt ngacmimin seksual të shtetases”.

Më tej pohojnë se për sa i përket pretendimit se 65-vjeçari ngacmon seksualisht të bijën me aftësi të veçanta, “ju bëjmë me dije se me marrjen e kësaj kërkesë për informacion, janë pyetur familjarët e shtetases dhe asnjëri prej tyre nuk ka pasur asnjë pretendim për një rast të tillë”.

Pra, policia thotë se s’ka asnjë informacion apo denoncim për ngacmim seksual. Por, nga ballafaqimi që bëri Fiks Fare, rezultoi se inspektori i policisë kishte informacion. Madje, edhe vëllai i vajzës pranoi se ka pasur tentativë dhe ngacmim të tillë. Në gjithë këtë histori, vetëm policia s’ka informacion. E gjithë familja e di, madje i gjithë fshati dhe polici i zonës. Por sërish, vajza vijon të jetojë me babanë, siç denoncuan edhe banorët e këtij fshati.

Fiksi  – Mesa jemi të informuar që nga spitali në Tiranë etj, etj ka pasur një ka pasur një tentativë përdhunimi.

Infermierja e fshatit – Po e kemi dëgjuar. E kemi dëgjuar, por gjë konkrete më shumë nuk dimë.

Fiksi – Ky fakti që ka tentuar të vrasi veten, pres damarët i ati, sepse i vëllai i ka gjetur….

Infermierja e fshatit – Po kështu kemi dëgjuar. Kështu kam dëgjuar nga koleget e mia, që ka tentuar ta përdhunojë.

Fiksi – Po më parë keni dëgjuar që të ketë pasur tentativa të tjera i ati?

Infermierja e fshatit – Unë vetë kam asistuar kur ka pasur kriza nervore, por gjë konkrete nuk di. Vetëm tani kemi dëgjuar që doli kjo e të atit.

Fiksi – Unë po kërkoj shtëpinë e …. E di ku është?

Punonjësja – Ja ajo shtëpia e dytë.

Fiksi – Është e vërtetë kjo ngjarja që ndodhi?

Punonjësja – Po nuk pashë gjë me sytë e mi nuk di çfarë të them.

 

Gazetarët e Fiks Fare shkojnë në shtëpinë e vajzës.

 

Fiksi  – Si kalon?

Vajza  – Mirë.

Fiksi  – Kam marrë vesh rastin e babait që ka prerë damarët dhe është në spital.

Vajza – Jo babin e kam këtu e kemi nxjerrë dje nga spitali.

Vëllai – Si je mirë?

Fiksi – Më fal që të shqetësoj, mund të flasim pak?

Vëllai – Po.

Fiksi – Ishe ti personi që erdhe në shtëpi dhe gjete babin në tentativë për ta përdhunuar motrën?

Vëllai – Po.

Fiksi – Pse e njoftove policinë?

Vëllai – Unë njoftova 127 dhe më thanë që po nuk erdhi policia nuk vijmë. Mora 112 më thanë po dërgoj postën më të afërt.

Fiksi – Po.

Vëllai – Posta këtu, se nuk janë polica këta, se po të vije para dy orësh i kishe të gjithë tek ai lokali.

Fiksi – Aty janë se unë aty pyeta për shtëpinë.

Vëllai – Të gjithë janë aty, policat që i mban Roskoveci. Të gjithë pinë dhe nuk vejnë re se çfarë flasin. Unë kërkova ndihmë, ata më morën mua dhe më çuan brenda.

Fiksi – Me thikë ka prerë damarët?

Vëllai – Me thikë, i ka marrë policia, ai shefi i Roskovecit.

Fiksi – Po ti çfarë bëre në atë moment?

Vajza – Asgjë.

Fiksi  – Të kane marrë në polici ty?

Vëllai – Jo erdhi ai shefi këtu dhe mori një deklaratë.

Fiksi  – Çfarë të pyeti?

Vëllai – Nuk tregon kjo. Më pyeti edhe mua, ti kur hape derën çfarë po bënte babai? I thashë po tentonte të kapte cepin e divanit që të ngrihej se nuk kishte pikë fuqie më. Po çfarë t’i bëjmë ne atij, ai gjithmonë pi.

Vajza – Jam e tronditur, shumë nga makina plus kjo…

Fiksi – Kjo që ndodhi me babin?

Vajza – Me babin.

Fiksi – Sa vjeç është babi?

Vajza – Nuk e di

Fiksi  – Po ti sa vjeç je?

Vajza – Nuk e  di.

Fiksi – Po vëllai ishte këtu kur i bëri të gjitha veprimet?

Vajza – Po, po vëllai këtu ishte. Këtu ishte vëllai

Fiksi – Vëllai i tha, që unë do thërras policinë çfarë ke bërë kështu dhe pastaj i preu damarët?

Vajza – Po, se vajti te policia vëllai.

Fiksi – Domethënë ti ishe vetëm me babin në shtëpi, babi u shtri sipër teje dhe kur erdhi vëllai e gjeti mbi ty?

Vajza – Po.

Fiksi – Pastaj vëllai i tha çfarë po bën do marr policinë në telefon?

Vajza – Po.

Fiksi  – Kështu ndodhi?

Vajza  – Po kështu ndodhi. Po more policinë unë do pres damarët. Po kështu nuk më bëri gjë babi.

Fiksi – Ti ke frikë ta tregosh?

Vajza  – Kam frikë.

Fiksi  – Pse ke frikë?

Vajza – Kam frikë se mos e bën prapë. Do ta ruaj.

Fiksi – A mendon se unë mund ta gjej atë Ferrikun (policin)  këtu tek lokali ta takoja pak ?

Vëllai – Aty duhet të jetë. Në qoftë se janë me uniformë policie aty duhet të jenë.

 

Shkojmë takojmë inspektorin e zonës Ferrik Hoxha

Fiksi – Ndjesë për shqetësimin.

Inspektori i zonës – Nuk ka problem.

Fiksi – Për ngjarjen në fjalë më thanë që ti je inspektori i zonës dhe ke asistuar?

Inspektori i zonës  – Jo nuk kam qenë.

Fiksi  – Çfarë ka ndodhur realisht?

Inspektori i zonës  – Nuk e di. E kam marrë vesh nga të tjerët. Drejt muhabeti. Se si qysh tek nuk e di.

Fiksi – Sa kohë keni ju që jeni inspektor i kësaj zone?

Inspektori i zonës  – Po kam nja dy tre vjet. Fole me vajzën ti?

Fiksi – Po.

Inspektori i zonës  – Se si është muhabeti aty unë nuk kam marrë kontakt fare as në ngjarje.

Fiksi – Kush e ka marrë kontaktin?

Inspektori i zonës  – Për situatën më thotë këtu që gjeta babin sipër motrës .I thashë bëj kallëzim. Le të merret OPGJ për ngjarjen që ka abuzuar babai ndaj fëmijës.

Fiksi – Po.

Inspektori i zonës – Më tepër …. unë kaq.

Fiksi  – Për ngjarjen në fjalë çfarë është bërë?

Inspektori i zonës  – E di që OPGJ para dy tre ditësh ka ardhur dhe i ka marrë një deklaratë, ajo se çfarë i ka thënë nuk e di.

Fiksi – Ekspertizë mjeko – ligjore i është bërë vajzës?

Inspektori i zonës – Jo, nuk e di.

Fiksi – Në të gjitha rastet kur dyshohet për një abuzim seksual bëhet kërkesë për të parë nëse ka pasur abuzim seksual mbi vajzën apo jo. Sepse ngjarja ka 2 javë që ka ndodhur.

Inspektori i zonës – Për mua është një veprim shumë i ulët.

Fiksi – Gjithsesi ju komisariat i vogël jeni dhe gjërat i merrni vesh me njeri – tjetrin. I dini ngjarjet që ndodhin këtu dhe se çfarë bëjnë kolegët tuaj.

Inspektori  i zonës – Dëgjo, vajza ka të drejtë dhe duhet të mbrohet dhe duhet të mbrohet se s’bën. Unë e di edhe disa raste më përpara që i dinte e ëma. Ma tregoi me kunatën e parë, dikush ka abuzuar. I thashë përse nuk erdhe të bësh denoncim që kanë abuzuar me vajzën. Mi tregoi disa persona, por nuk e di. Seksualisht ka një rast më parë nga kunata.

Fiksi –   Frika ime më e madhe është se vajzës mund t’i ndodhi diçka .

Inspektori i zonës – Edhe mund t’i ndodhi në atë familje po. I ati është qen bir qeni burrë për mua.  Hajde shkojmë bashkë. Për të bërë veprime e për t’ia kaluar tjetrit është njësh ai zagari.

Shkojmë sërish në shtëpinë e vajzës me inspektorin.

Inspektori i zonës  – Shpjegoja kësaj si është arsyeja në këtë banesë.

Fiksi – Atë ditë çfarë ndodhi? Ku i she ti kur erdhi djali?

Babai – Këtu.

Fiksi – O … ku ishte babi kur erdhi …?

Vajza – Aty te divani sipër meje.

Inspektori i zonës – Ja se gënjen ai. Ti … je në rregull?

Vëllai – Unë po flas të vërtetën. Kur hap derën, i thashë çfarë po bën? Ja do ta shikosh ti më tha. Ishte sipër motrës dhe po kapte cepin e divanit që të ngrihej.

Inspektori i zonës – Me çfarë veshje ishte?

Vëllai – Pantallonat kishte veshur, po bluzë dhe kantiere jo.

Inspektori i zonës – Po motra ishte shtrirë?

Vëllai – Po ai ishte i shtrirë me kokë siç ishte motra.

Inspektori i zonës – Divani ishte i hapur apo i mbyllur?

Vëllai – Ja ashtu siç është.

Inspektori i zonës – Tregoja fije për fije si është muhabeti dhe flasim pastaj bashkë .

Vajza – Ja isha kështu unë shtrirë, ai ishte këtu lart mbi mua në brinjë.

Fiksi – Ishte hera e parë?

Vajza – Po hera e parë dhe më tunde mua. Unë kam frikë se do ta bëj prapë. Do ta ruaj.

Vëllai – Unë kam frikë nuk kam ku ta çoj.

Fiksi – Kë?

Vëllai – Motrën.

Pas disa ditësh, shkojmë sërish te shtëpia e vajzës

Fiksi – Si është motra?

Vëllai i vajzës – Mirë.

Fiksi – Po babi?

Vëllai i vajzës – Mirë.

Fiksi – E rikuperoi, e kaloi pak atë?

Vëllai i vajzës – E kaloi.

Fiksi – Ça është bërë ndonjë gjë që kur isha unë herën tjetër, këta të komisariatit?

Vëllai i vajzës – Presim, sipas asaj që tha shefi i Roskovecit presim nga prokuroria tha ai.

Fiksi – E ka dërguar çështjen në prokurori?

Vëllai i vajzës – Po, po. E kanë dërguar andej dhe presim andej tha ai.

Fiksi – Me motrën ka folur njeri?

Vëllai i vajzës – Jo, jo. jo.

Fiksi – S’e kanë marrë për asgjë?

Vëllai i vajzës – Jo, jo.

Fiksi – Ku është ta takoi pak?

Vëllai i vajzës – O …?

Fiksi – Po babi ku është?

Vëllai i vajzës – Ja këtu, andej matanë.

Fiksi – Po ai inspektori i zonës erdhi përsëri?

Vëllai i vajzës – Që atë ditë.

Fiksi – Që atë ditë! Nuk u duk më?

Vëllai i vajzës – Jo.

Fiksi – Nuk erdhi ëë?

Vëllai i vajzës – Jo. E kuptove, si ishte ai?

Fiksi – E atë ditë që e takova unë te lokali kishte pirë.

Vëllai i vajzës – E kuptove, ja! Atij i thua polic ti?! Policët rrinë kështu, pinc.

Fiksi – Ti ke vajtur te Komisariati i Roskovecit?

Vëllai i vajzës – Jo. Që atë ditë që mua më çuan që mjekova gishtërinjtë, në datën 17 gusht dhe s’kam vajtur më.

Fiksi – Po ku e more vesh ti që presin përgjigje nga prokuroria?

Vëllai i vajzës – Kur erdhi shefi, ky i Roskovecit, që e mori në pyetje të motrën…

Fiksi – Që atëherë?

Vëllai i vajzës – Që atëhere.

Fiksi – U lodhe?

Vajza – U lodha.

Fiksi – Si ke qenë këto ditë?

Vajza – Mirë.

Fiksi – Mirë?

Vajza – Mirë.

Fiksi – Në shtëpi çdo gjë mirë?

Vajza – Mirë.

Fiksi – Babi si është?

Vajza – Mirë.

Fiksi – Mirë, është qetësuar?

Vëllai i vajzës – Mirë është, këto ditë ka dalë ka vajtur ka pyetur për dritat.

Fiksi – je mërzitur?

Vajza – Po.

Fiksi – Pse?

Vajza – Jam mërzitur, ku të vetë, s’kam ku shkoj. Shkoj nganjëherë të kushërira, vij prapë këtu.

Vëllai i vajzës – I ka thënë byrazerit tim ai (inspektori i policisë se zonës) që janë 87 denoncime të familjes tënde.

Fiksi – Pse?

Vëllai i vajzës – Për çfarë bëhen këto këtu. Deri tani janë 87 denoncime.

Fiksi – Për çfarë?

Vëllai i vajzës – Për atë që mendon Ferriku (polici).

Fiksi – Ça mendon Ferriku?

Vëllai i vajzës – Atë që, janë gjë të luajtur që bëjnë një më dy denoncime.

Fiksi – Po më bën shumë çudi që s’kanë bërë asnjë gjë nga ana e policisë për rastin konkret.

Vëllai i vajzës – Këta asgjë!

 

FOTO GALERI
2/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA