Qeveria e Japonisë ka dhuruar donacion pajisje mjekësore me vlerë prej 1 milion euro për spitalet e disa komunave të Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, gjatë ceremonisë së pranimit të një ultrazëri me elastograf në spitalin ‘Dr Sami Haxhibeqiri në Mitrovicë, që ishte vetëm një pjesë e këtij donacioni, tha se ky donacion është një dhuratë jashtëzakonisht e rëndësishme në ndërtimin e kapaciteteve diagnostikuese për spitalet e Kosovës.
Sipas tij, Mitrovica është zgjedhur për ta pranuar në mënyrë solemne këtë donacion, sepse pikërisht ky qytet ka nevojë për shumë ndihmë.
Latifi: Kjo është një dhuratë e rëndësishme e popullit japonez
“Sot është një dhuratë shumë e rëndësishme e popullit japonez në ndërtimin e kapaciteteve diagnostikuese në spitalin e Mitrovicës, Pejës, Gjilanit dhe Ferizajt. Ne zgjodhëm spitalin e Mitrovicës për këtë përurim për shkak se spitali i Mitrovicës ka nevojë për shumë ndihmë, ndihma materiale, të kuadrove dhe ndihma tjera, prandaj erdhëm këtu”, ka thënë Latifi.
Ndërkaq, Keisuke Yamanaka, i ngarkuar me punë në Kosovë, është shprehur i lumtur për donacionin, i cili do të ndihmojë më tej sektorin shëndetësor në Kosovë.
Yamanaka: Ndihmat tona do të vazhdojnë
“Ne kemi bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës për të ndihmuar në zhvillimin e këtij vendi, gjë që e kemi filluar që para pavarësisë dhe sektori i shëndetësisë është një nga sektorët prioritare. Jemi të lumtur të vlerësohemi për ndihmat, kemi projekte bashkëpunimi edhe jashtë sektorit shëndetësor, siç e dini, për mjedisin, menaxhimin e grumbullimin e plehrave… dhe të tjerat, dhe do të vazhdojmë tutje. Jemi shumë të lumtur që bashkëpunojmë me popullin dhe qeverinë e Kosovës. Ne kemi marrëdhënie shumë miqësore, kjo është shumë e rëndësishme edhe për ne”, tha ai.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Pranvera Zejnullahu-Raçi, u.d. e drejtoreshës së ShSKUK-së, si dhe shumë punëtorë shëndetësorë të spitalit në Mitrovicë
Top Channel