Telekomi i Kosovës ka rënë pre i një sulmi kibernetik.

Prej orës 8:00 të mëngjesit të ditës së sotme drejtori teknik, Halil Krasniqi konifrmon që kanë ndërprerë shërbimet e internetit me qëllim parandalimin e sulmit.

Ai shton për Top Channel se qëllimi kryesor ishte krijimi i një ngarkese në rrjet duke thënë që edhe janë identifikuar IP-të prej nga ka ardhur, por refuzon të japë detaje të tjera.

Lidhur me situatën ka reaguar përmes një deklarate edhe qeveria e Kosovës.

“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël.

Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.”- thuhet në deklaratë.

Kosova dhe vendet e rajonit së fundmi janë përballur me shtim të sulmeve kibernetike. Si pasojë e kësaj, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, që dyshohet të jetë prapa sulmit ndaj sistemit TIMS.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA