Ditën e djeshme nisja e vitit të ri shkollor në Kosovë pati protesta nga mësuesit, të cilët kërkonin rritjen e pagave, ndërsa ditën e sotme është konfirmuar që grumbullimet do të vijojnë.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Rrahman Jashari konfirmoi se greva në arsim dhe administratën publike do të vazhdojë.
Sipas tij, Kurti nuk e ka pranuar kërkesën kryesore të tyre, shtesat prej 100 eurove deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Kryeministri, Albin Kurti është shprehur gjatë takimit se kërkesa kryesore e sindikatave ka qenë Projektligji i Pagave, kërkesa për 100 euro shtesë ka ardhur gjatë rrugës.
“Projektligji për Pagat del në diskutim këtë javë, i kemi marrë parasysh kërkesat e tyre dhe janë trajtuar në këtë projektligj. Mësimdhënësit do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë, parashihen shtesa në bazë të përgatitjes e përvojës”, tha Kurti.
Top Channel