Në Bërdo të Sllovenisë mbahet të hënën samiti i Procesit Bërdo-Brioni, ku do të diskutohet për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Përveç mikpritësit të takimit, presidentit slloven, Borut Pahor, është paralajmëruar se do të marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i Shqipërisë, Bajram Begaj, i Serbisë, Aleksandar Vuçic, ai i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti kroat Zoran Millanovic, si dhe anëtarët e presidencës trepalëshe të Bosnjës.
Kabineti i Pahorit njoftoi më herët se samiti i Procesit Bërdo-Brioni, do të jetë një mundësi për të rishikuar situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe për t’iu bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Europian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit. Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Pahor, asokohe kryeministër i Sllovenisë.
Qëllimi i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE. Pak ditë më parë, gjatë nje vizite te tij në Kosovë, Pahor hodhi poshtë njoftimet se qëndron ai pas dokumenteve “non-paper” të publikuara së fundi në mediat ballkanike dhe tha se është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan.
Non-paperi që ka dalë në media në muajin prill,u pretendua të jetë hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, por edhe ai vete e mohoi nje gje te tille. Pahor insistoi se “ka mendim plotësisht të kundërt me ato që shkruhen në këto letra”. “Me ndryshimin e kufijve nuk pajtohem. Unë dëshiroj t’i bind bashkëbiseduesit në Samitin e Bërdos që të vazhdohet me procesin e zgjerimit dhe të reformave. Kjo është një domosdoshmëri historike”, u shpreh Pahor.
Top Channel