Numri i njerëzve që bëjnë punë të detyrueshme, apo që janë të martuar kundër dëshirës së tyre, shkon në gati 50 milionë në vitet e fundit, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Punën.
Në raportin më të ri të kësaj agjencie është thënë se krizat sikurse pandemia e koronavirusit, konfliktet e armatosura dhe ndryshimet klimatike kanë rritur pengesat në punësim dhe edukim.
Për pasojë, është rritur varfëria ekstreme dhe migrimi i detyrueshëm, është thënë në raport.
Kombet e Bashkuara kanë synim që të zhdukin të gjitha format e skllavërisë moderne deri më 2030, mirëpo numri i njerëzve që u nënshtrohen këtyre abuzimeve është rritur për 10 milionë në periudhën 2016-2021.
Sipas studimit, deri në fund të vitit të kaluar, 28 milionë njerëz kanë bërë punë të detyrueshme, derisa 22 milionë janë detyruar të jetojnë në martesa të padëshiruara.
Kjo nënkupton se gati një në çdo 150 njerëz në botë preket nga format moderne të skllavërisë, ka thënë raporti.
“Është shokuese që situata e skllavërisë moderne nuk është duke u përmirësuar”, ka thënë Guy Ryder, udhëheqës i Agjencisë së OKB-së për Punë, përmes një deklarate.
“Asgjë nuk mund të arsyetojë abuzimin e tillë të së drejtës themelore të njeriut”.
Në raport është vënë theksi te situata në Kinë.
Atje, shumë agjenci të OKB-së kanë paralajmëruar për mundësinë e punës së detyrueshme, sidomos në rajonin e Ksinjiangut, ku Pekini akuzohet për ndalim të mbi një milion ujgurëve dhe minoriteteve tjera myslimane.
Shumë organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut e konsiderojnë trajtimin që u bën Kina ujgurëve si “gjenocid”./Rel
Top Channel