Shteti i Antigës dhe Barbudës do të votojë nëse do të bëhet republikë, pas vdekjes së Mbretëreshës britanike, Elizabeta II.
Kryeministri i këtij shteti, Gaston Browne, ka thënë se referendumi do të organizohet brenda tre vjetëve, mirëpo ka theksuar se ky vendim nuk është “akt armiqësie”.
Ai i ka bërë këto komente pasi Karli III është bërë mbret i Mbretërisë së Bashkuar.
Përveç Mbretërisë së Bashkuar, Karli III njihet si udhëheqës shteti në 14 shtetet tjera që kanë qenë koloni të Britanisë së Madhe në të kaluarën.
Browne ka thënë se synon të organizojë referendumin vitin e ardhshëm, nëse rizgjidhet në pozitën që ka.
Më herët gjatë ditës së diel, Australia ka hedhur poshtë mundësinë e organizimit të një referendumi të tillë në katër vjetët e ardhshëm.
Vdekja e mbretëreshës ka ringjallur debatin rreth monarkisë në Australi.
Mirëpo kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se “çështjet më të rëndësishme për kushtetutën tonë, nuk i takojnë kësaj periudhe”.
“Kjo është periudhë në të cilën po ndajmë pikëllimin që ndjejnë shumë australianë, duke treguar respektin e thellë dhe admirimin për kontributin e Mbretëreshës për Australinë”, ka thënë Albanese.
Vitin e kaluar, Barbados është betuar në presidenten e saj, pasi Mbretëresha nuk është konsideruar më udhëheqëse e shtetit.
Top Channel