Bogdan është një artisti rumun që ka realizuar një prej shumë muraleve që gjenden në kryeqytet.
Atij ju deshën vetëm 5 ditë që të përfundonte muralen që ka në përbërje të saj portretin e një gruaje.
“Puna ime është një karakter, portreti i një gruaje me veshje tradicionale shqiptare, i kam ndryshuar pak. Doja të krijoja imazhin e një perëndeshe, ose diçka mes fantazisë, që do përfaqësonte në një mënyre Shqipërinë. Mu deshën 5 ditë që ta përfundoja, isha shume me fat sepse e përfundova pak para se të nisnin shirat. Nuk ka një mesazh specifik por doja që njerëzit të ndjeheshin mirë kur ta shihnin, të ishte e thjeshtë sa për ta vlerësuar por edhe për të nisur të analizosh pjesë të saj. Unë kryesish bëj portrete prandaj e dija që do ishte një portret. Para se të nisja punën fillova të kërkoja informacione për Shqipërinë dhe kulturën. Përveç Shqipërisë, muralet e mia gjenden kudo në Danimarkë, aty ku unë jetoj dhe kam një studio timen, por dhe në Rumani”, tha Bogdan Scutaru, artist.
Bogdan, së bashku me të tjerë artiste të huaj, gjenden në Tiranë për të marrë pjesë në workshopin tre ditor në “Mural Art” që po organizohet nga Kongresi Rinor Shqiptar, në kuadër të Tiranës si kryeqyteti Europian i Rinisë.
“Mural art zhvillohet në të njëjtën kohë me Mural Fest, një traditë e konsoliduar prej disa vitesh me pjesëmarrjen e artistëve të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës. Paralelisht një workshop për studentët dhe nxënësit e akademisë së arteve dhe liceut, që mund të mësojnë diçka nga këta artistë që po lënë shenjën e tyre në muret e botës dhe për fat të mirë edhe në qytetin tonë. Do jenë vet artistët pjesëmarrës të Mural Festit që do bëjnë workshopin. Do ketë artistë rumunë, nga Uruguaji, amerikan. Workshop i ndarë në tre ditë të ndryshme, presim pjesëmarrjen deri në 60 studentë”, tha Henril Cule, Drejtori i Dekor Tirana.
Kongresi Rinor Shqiptar ka për synim përfshirjen e të rinjve për të përcjell mesazhe pozitive.
“Muralet përveç faktit që bëjnë pjesë në artin pamor dhe tërheqin vëmendjen e njerëzve, janë edhe mundësi apo hapësirë gjithëpërfshirëse sepse çdo kush mund të shohë dhe çdokush mund të marrë mesazh. Përveç mësimi që do marrin nga workshop dhe ekperiencës, të rinjtë do kenë mundësi ti shohin muralet të afishuara në zona të ndryshme të qytetit”, tha Dafina Peci, Drejtoreshë e Kongresit Rinor Kombëtar.
Në Tiranë ka rreth 60 murale që janë të shpërndara të zona të ndryshme të kryeqytetit, por në vijim do të ketë edhe të tjera që do t’i shtohen.
Top Channel