“Do vazhdoj nën gjurmët e Mbretëreshë Elizabeth”, Mbreti Karl III mban fjalimin e parë pas vdekjes së nënës së tij

09/09/2022 19:12

Mbreti Karli i tretë i Britanisë iu drejtua të premten një kombi të trishtuar pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II, që qëndroi për shtatë dekada në fron.

Mbretëria është në periudhë zie kombëtare për monarken e vetme që ka njohur ndonjëherë shumica e britanikëve.

I ulur pranë një fotografie të nënës së tij dhe i veshur me një kostum të zi dhe kravatë, ai thotë se nëna e tij “bëri sakrifica për detyrën”.

“Po ju flas me trishtim të madh,ikja e mbretëreshës është e trishtë dhe e dhimbshme për të gjithë ne. Ajo ishte frymëzim dhe shembull për mua dhe gjithë familjen time. Përveç pikëllimit që po ndjej unë dhe gjithë familja ime, ne ndajmë gjithashtu më shumë prej jush në Mbretërinë e Bashkuar dhe të gjitha vendet ku mbretëresha ishte kreu i shtetit, në Comonwealth dhe në mbarë botën. Një ndjenjë e thellë mirënjohjeje për më shumë se 70 vitet në të cilat nëna ime, si mbretëreshë, u shërbeu njerëzve të kaq shumë kombeve. Unë premtoj se do të vazhdoj të bëj të njëjtën gjë. Përkushtimi i saj ndaj njerëzve ishte një angazhim i thellë personal që përcaktoi tërë jetën e saj“, tha Mbreti në deklaratën e tij.

Para se ai t’i adresohej popullit, pati një takim me kryeministren britanike Liz Truss.

Mbreti i ri i Britanisë u përshëndet nga afër me turmat që e prisnin në Pallatin Buckingham përpara se të hynte për herë të parë në Palltin Buckingham si mbret.

Shumë prej tyre ai zgjodhi t’i përshëndeste duke iu dhënë dorën, por pati dhe nga ata që i puthën dorën të ngazëllyer, madje një zonjë e puthi dhe në faqe.

Me ndarjen nga jeta të Mbretëreshës, një sërë ceremonish do të mbahen deri në funeralin e saj, 10 ditë pas vdekjes. Dita e shuarjes së saj është quajtur D Day, ndërsa çdo ditë pasuese cilësohet si D+1, D+2 e kështu me radhë.

Një ditë pas largimit të saj nga jeta, Këshilli i Aderimit, i cili përfshin figura të larta qeveritare, mblidhet në Pallatin e St James për të shpallur Karlin sovranin e ri.

Qindra këshilltarë të fshehtë, duke përfshirë kryeministrin dhe ministrat, do të kërkohet të marrin pjesë.

Askush nuk mund të mbajë asnjë stoli në trup. Parlamenti do të mblidhet për të rënë dakord për një mesazh ngushëllimi. Të gjitha punët e tjera të Kuvendit do të pezullohen për një periudhë 10 ditore.

Arkivoli i Mbretëreshës do të dërgohet në Pallatin Buckingham. Duke qenë se ajo vdiq në Balmoral të Skocisë, do të aktivizohet Operacioni Unicorn që do të thotë se trupi i saj do të dërgohet në Londër me tren mbretëror sa më shpejt të jetë e mundur. Në të kundërtën, do të nisë një tjetër operacion që tregon se arkivoli do të transportohet me ajër.

Homazhet pritet të vazhdojnë në Parlament. Në ditën e pestë, lëvizja nga Pallati Buckingham në Pallatin e Westminsterit do të marrë një rrugë ceremoniale përmes Londrës.

Trupi i mbretëreshës do të qëndrojë për homazhe në Pallatin e Westminsterit për tre ditë. Varrimi zhvillohet në ditën e 10 në Westminster Abbey, ndërsa monarkja do të vendoset të prehet në Kapelën Përkujtimore të Mbretit George VI.

 

Top Channel