Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duke folur në një konferencë për shtyp gjatë vizitës së tij Bosnjë ka deklaruar përsëri se Greqia po shkel marrëveshjet ndërkombëtare duke militarizuar ishujt pranë vijës bregdetare të Turqisë në Detin Egje dhe ka ripërsëritur paralajmërimin e tij ndaj Athinës pasi ka akuzuar mbrojtjen ajrore greke se ka shënjestruar me raketat S-300 avionët luftarakë turq gjatë stërvitjeve të NATO-s mbi Mesdheun lindor.
“Ne mund të vijmë papritmas një natë. Përse?! Ata kanë këto ishuj, kanë baza në këto ishuj. Ka disa kërcënime të paligjshme kundër nesh dhe nëse këto vazhdojnë, atëherë durimi i dikujt merr fund. Çfarë themi kur i vjen fundi durimit? Fundi i durimit është shpëtimi. Sa të shohim atë shpëtim do të bëjmë çfarë duhet. Besoj se Greqia e di këtë. Kur të vijë momenti do të ndërmerren veprimet e nevojshme sepse nuk është shenjë e mirë shënjestrimi me radar i avionëve tanë. Këto që bën Greqia nuk janë shenjë e mirë”, tha presidenti Rexhep Tayyip Erdogan.
Kërcënimet nga një vend aleat i NATO-s janë të papranueshme ka qënë mesazhi me të cilin është përgjigjur kryeministri grek Mitsotakis gjatë takimit me presidenten e Sllovakisë në Athinë duke përsëritur se qëndrimi i përhershëm i Greqisë është dialogu i bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe për këtë janë informuar edhe NATO e BE .
Në të njëjtën kohë ministri i Mbrojtjes së Qytetarit që ka vizituar pikat tokësore të kufirit me Turqinë, ka theksuar intensifikimin e planit grek për zgjerimin deri në 140 km të gardhit mbrojtës, në kuadrin e planit kombëtar “Akritas” për rruajtjen e kufijve .
“Është një mesazh i fortë i vendosmërisë kombëtare kundër atyre që për fat të keq këmbëngulin në shfrytëzimin e njerëzve të pakënaqur që përdoren sistematikisht nga kontrabandistët e shpresës, trafikantët e paligjshëm të cilët kryejnë krime çdo ditë duke dërguar mijëra njerëz nga Turqia fqinje me tolerancën , e pse jo ,edhe me bashkëpunimin e organeve të shtetit fqinj”, tha Takis Theodhorikakos Ministër i Mbrojtjes së Qytetarit.
Çështja e fërkimeve greko turke të cilat kanë sjellë pranë konfrontimeve ushtarake dy vendet të paktën tre herë në dekadat e fundit, po diskutohet dinamikisht tashmë në gjirin e NATO-s ku dy vendet janë anëtarë, si dhe nga qarqet politike europiane.
Top Channel