Kombëtarja shqiptare e femrave ka zhvilluar mbrëmjen e sotme ndeshjen e fundit e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023” ndaj Norvegjisë.
Kjo sfidë e fundit e kësaj fushate që ka qenë më e mira e zhvilluar nga vajzat kuqezi që nga krijimi i ekipit kombëtar të femrave në vitin 2011, u luajt në transfertën norvegjeze në Oslo.
Shqipëria, pavarësisht përpjekjeve dhe mbajtjes së topit në disa momente të lojës, u mund me rezultatin 5-0.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Armir Grima e nisi lojën me këtë formacion: Rexhepi, Berisha, Curraj, Maliqi, Gjini, Franja, Doçi, Krasniqi, Tukaj, Maksuti, Hamidi.
Në sfidën e luajtur në stadiumin “Ullevaal” në Oslp, kuqezezat e panë veten shpejt në disavantazh, kur norvegjezet kaluan fillimisht në epërsi me Sophie Haug. Në minutën e 16-të, kundërshtaret realizojnë edhe golin e dytë, ndërsa tetë minuta më vonë shënojnë edhe golin e tretë.
Trajneri Grima bën dy zëvendësime të detyrueshme në këtë sfidë, me Qëndresa Krasniqin dhe Arbenita Curraj, të cilat lënë fushën e lojës dhe në vend të tyre futen Endrina Elezaj dhe Matilda Gjergji.
Pjesa e parë mbyllet nën avantazhin e vendaseve, teksa tre golat e pësuar goditën psikologjikisht skuadrën kuqezi, që nuk reagoi siç duhet edhe në pjesën e dytë, duke pësuar edhe dy gola të tjerë. Megi Doçi humbi një penallti në minutën e 54-t, një rast i artë goli për Shqipërinë.
Mungesa dhe gjendja jo e mirë fizike e disa prej futbollisteve shqiptare, por edhe niveli i lartë i futbollit të femrave në Norvegji, që janë shpallur edhe kampione bote dhe Europe, duket se ishin gjithashtu faktorë që sollën këtë humbje.
Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht humbjes, vajzat kuqezi dalin me kokën lart nga kjo fushatë eliminatoresh, ku për herë të parë kanë arritur të grumbullojnë 10 pikë dhe kanë lënë pas dy ekipe në grupin F, Kosovën dhe Armeninë.
Renditja përfundimtare, Grupi F
Norvegjia 28 pikë
Belgjika 22 pikë
Polonia 20 pikë
Shqipëria 10 pikë
Kosova 7 pikë
Armenia 0 pikë./ Super Sport
Top Channel