Fituesi i “Golden Globe”, regjisori Ari Folman prezanton në Durrës filmin dokumentar “Vals me Bashirin”

07/09/2022 20:22

Mbrëmja e 6 shtatorit solli në Durrës një prej kolosëve të kinemasë dhe filmit autor në botë, regjisorin Ari Folman, fitues i Golden Globe dhe nominuar për “Oscar”.

“Më duket vetja si në shtëpinë time. Isha pak skeptik në fillim kur Anila më tha se donte të sillte Ari Folman në Shqipëri, po ja ku jemi sot. Bashkëpunimi ynë do të vijojë”, tha Noah Gal Gendler, ambasador i Izraelit në Tiranë.

Fillimisht Ari Folman firmosi pllakën që do të vendoset para teatrit “Aleksandër Moisiu” në krah të firmave të emrave të tjerë të mëdhenj të kinemasë botërore Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Marco Bellocchio, Paolo Sorrentino, etj. që kanë marrë pjesë në edicionet e mëparshme të këtij festivali në Durrës.

Më pas në ekranin e madh të vendosur nën yje, në arenën e Amfiteatrit Antik u shfaq filmi dokumentar, unik në botë për nga mënyra e realizimit “Vals me Bashirin”. Ndërsa Ari Folman prezantonte këtë film dhe arsyen pse zgjodhi teknikën e animimit për ta realizuar atë, mbi arenën e Amfiteatrit jehoi thirrja e ezanit të mbrëmjes.

“Është fantastike, kaq autentike të shohësh këtë film nën këta tinguj. Filmi bazohet në një përvojë personale. Të gjitha luftrat kanë një fund tragjik. Zgjodha teknikën e animimimit, si mënyrën më të mirë për ta përcjellë, sepse filmat ne i përjetojmë si një ëndërr. Nuk mund t’ju them si zakonisht shijojeni këtë film, por shpresoj të kaloni përmes një procesi emocional teksa shihni atë”, u shpreh Folman.

 

Top Channel