La Scala luan në Gjirokastër! Koncerti me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së shenjtores Nënë Tereza

06/09/2022 12:35

Kuarteti i harqeve të La Scalas së Milanos performoi në një koncert të jashtëzakonshëm në Gjirokastër një ngjarje e rrallë dedikuar figurës së Nënë Terezës.

Eventi u mbështet prej konsullatës së Italisë në Vlorë, ministrisë së Kulturës dhe bashkisë së Gjirokastrës.

“Ishte një mbrëmje e rrallë. Kishim kohë që e përgatisnim dhe ja ku ndodhi. Interptetimi ishte i jashtëzakonshëm dhe publiku gjithashtu jetoi emocione speciale. Ishte kënaqësi për ne që ja dedikuam këtë koncert kujtimit të Nënë Terezës kësaj bamirëseje të madhe”- tha Iva Palmieri konsulle e Italisë në Vlorë.

Muzikantët e çelën shfaqjen me “Kuartetin italian në E minore” të Giuseppe Verdit pasuar nga një pjesë në violinë solo e kompozitorit shqiptar Aulon Naçi.“Poseidon” nën interpretimin e rrallë të Francesco Manara është një kompozim me në qendër motivin e ujit, detin, shiun, lotët është njëkohësisht  thirrje për ta mbrojtur burimin e jetës.

“Nuk ka skena të mëdha apo skena të vogla, emocionet janë të njëjta kudo. Sollëm këtë mbrëmje pjesë nga kompozitorë të njohur që u mirëpritën nga publiku dhe jemi të kënaqur. Shqipëria na u duk një mjedis shumë i ngrohtë dhe mikpritës dhe do të doja ta zbuloja edhe për turizëm.”– tha Massimo Polidori violonçelist i kuartetit

Pjesa e tretë e koncertit ishte “Oktet për harqe” i Felix Mendelssohn interpretuar nga kuarteti italian i harqeve si dhe Suela Piciri dhe Estela Sheshi pjesë e orkestrës së La Scalas në violinë si dhe Albana Kola e Dorina Laro në violë e Violonçel pjesë e Akademisë së Arteve në Tiranë.

Formacioni i parë i kuartetit të La Scalas u krijua në vitin 1953 si pjesë e nevojës për të zhvilluar një ligjërim të rëndësishëm të muzikës së dhomës. Formacioni u ringjall nga katër artistë të rinj në vitin 2001 dhe që atëherë është një nga kuartet më të rëndësishme në botë. Ata kanë bashkëpunuar me pianistë të kalibrit ndërkombëtar si dhe kanë regjistruar për shtëpitë më të mëdha diskografike.

 

Top Channel