Fiks Fare vazhdoi me denoncimin e prerjeve të pyjeve pa kriter në Alpet Shqiptare edhe mbrëmjen e së martës.
Mijëra hektar pyje në zonë të mbrojtur priteshin çdo ditë nën dritën e diellit dhe shfrytëzuesit nuk pengoheshin nga askush. Barbaria e prerjeve nuk kishte të mbaruar aq sa e konsideronin veten ‘Zot’ të pyllit duke prerë masivisht, e duke i krijuar lehtësi vetes si rrugë. Kjo shpjegohej e gjitha me një ‘kafe’ të dhënë nën dorë tek persona të paidentifikuar, por sipas shfrytëzuesve të veshur me pushtet.
Pamjet e servirura nga Fiksi tregojnë se ‘mushkëria’ e Shqipërisë po degradon dita ditës nga prerja e pyjeve pa kriter. Në gjithë vëzhgimin disa orësh të Fiksit ,askush nga ata që ligji i ka ‘veshur’ me pushtet për ta zbatuar , nuk shiheshin në këto pyje. Pushtetin e kishim marrë në dorë motosharrat.
Me pamjet e shumta filmike të dokumentuara dhe shkatërrimit e abuzimit pa kriter që i është bërë pyllit, Fiksi i drejtohet institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e tij.
Në Drejtorinë Pyjore të Malësisë së Madhe, kryeinxhinieri hedh poshtë çdo përgjegjësi, pasi zona është shpallur e mbrojtur dhe si e tillë varet direkt nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Në këto kushte Fiksi i drejtohet kësaj agjencie në Shkodër.
Drejtori Agim Dardha pohon se inspektimi i fundit nga ky institucion është bërë pas shkuarjes së Fiksit në Alpet Shqiptare. Kanë konstatuar prerje të paligjshme dhe si rrjedhim është shkarkuar nga detyra inspektori i zonës , pasi nuk ka qenë i aftë të bëj punën mirë. Gjithashtu drejtori premton për Fiks fare se ky abuzim me prerjen pa kriter të pyllit nuk do të ndodhë më.
E gjitha sipas tij ka ardhur pasi ka qenë një periudhë tranzicioni duke treguar se me dokumenta akoma nuk është marrë në dorëzim kjo zonë, por pranon se ka identifikuar prerjet në pyll dhe abuzuesit. Ndërkohë që institucionet i kalojnë kompetencat njëra- tjetrës, Alpet Shqiptare “mushkritë” e vetme të Shqipërisë, po zhduken.
Top Channel