Paris Saint-Germain është një vatër e lajmeve të mira dhe të këqija në Francë. Gjithçka që bën klubi parizien dhe yjet e tij analizohet në detaje.
Këtë fundjavë mënyra se si udhëtoi ekipi në transfertën ndaj Nantes është kthyer në qendër të vëmendjes. Ekipi i Galtier përdori avionin e klubit për të udhëtuar dhe jo gjë nuk i ka pëlqyer drejtorit të rrjetit francez të trenave (TGV-Intercites) Alain Krakovitch, i cili qortoi klubin parizien për udhëtimet me avion. Këtë fundjavë ata përdorën avionin si mjet transporti për të udhëtuar në Nante, që është 384 kilometra larg.
Krakovitch nuk ka ngurruar të reagojë në një postim që Verratti e ka publikuar në rrjetet e tij sociale.
“Paris-Nantes është më pak se dy orë larg, më kujtohet propozimi ynë për një ofertë TGV të përshtatur për nevojat tuaja specifike, për interesat tona të përbashkëta: sigurinë, shpejtësinë, shërbimet dhe eko-lëvizshmërinë”,-tha ai, në një postim në Twitter si reagim ndaj një videoje të mesfushorit italian Marco Verratti në aeroplanin e PSG-së.
Përdorimi i avionëve privatë nga klasa e pasur e vendit, siç janë figurat qeveritare, ka qenë prej kohësh objekt kritikash. Vetëm pak ditë më parë, shoqata ambientaliste “Attac” vuri në dukje se avioni privat i Lionel Messit ka bërë 52 fluturime që nga qershori, “dmth 1502 ton CO2”. Kjo organizatë bëri thirrje që të rrallohet përdorimi i avionëve privatë. Të shohim nëse PSG e pranon propozimin…
Top Channel