Një anije transportuese me 3,000 ton grurë nga Ukraina ishte bllokuar dje në cekësirë në ngushticën e Bosforit, duke mbyllur hyrjen në Detin e Zi.
Një koment nga Steve Herman, korrespendent i Zërit të Amerikës thoshte se anija ‘LadyZehma’, e ngarkuar me grurë ukrainas, kishte dalë në cekësirë në Ngushticën e Bosforit duke ndaluar transportin detar përmes Stambollit.
Herman publikonte gjithashtu një hartë nga aplikacioni ‘Marine Traffic’ ku tregohej vendndodhja e transportueses.
Guvernatori i Stambollit gjithashtu konfirmonte se anija 173-metra e gjatë me 3,000 tonë grurë ishte e bllokuar por pa rrezik dhe e ankoruar në spirancë.
Kiçi i anijes ishte rreth 150 metra larg bregut të zonës së Bebek, sipas dëshmitarëve dhe sipas të dhënave të rrjetit Refinitiv Eikon.
Lady Zehma kishte marrë autorizimin e nisjes në fillim të javës nga qendra e koordinimit te konfliktit, që funksionon në bashkëpunim mes Kombeve të Bashkuara, Rusisë, Ukrainës e Turqisë.
Transportuesja do të shkarkohet në portin italian të Ravenna.
Raportimet e fundit flasin për zhbllokim të anijes pas fotove të publikuara nga autoritetet turke të operacionit të sigurimit të anijes.
Zyrtarët komentonin mbi operacionin: “Gjatë lundrimit nga Ukraina në Stamboll, LADY ZEHMA 173 m e gjatë u bllokua në ujë të cekë dhe është ankoruar momentalisht në gjirin Bebek.
“Rimorkiatorët tanë KURTARMA-5, KURTARMA-6 KURTARMA-9, KURTARMA-12, NAZIM TUR, KEGM-3, KEGM-5 po punojnë për lirimin dhe tërheqjen e saj drejt sigurisë.”
Më herët ministri ukrainas i infrastrukturës Oleksandr Kubrakov njoftonte: “Gjashtë anije janë nisur kësaj jave nga portet e Odesa, Chornomorsk, e Pivdennyi.”
“Mes tyre është dhe anija Karteria e programit të ushqimit të OKB që shkon në Jemen”.
Një total prej 183,000 ton grurë ukrainas llogaritet se është nisur në lundrim me anijet Seajoy, Lady Zehma, Saffet Aga, Simas, Michallis, Karteria, shtonte ai, sipas britanikes Daily Express.
Bosfori është një kalim strategjik detar që lidh Mesdheun me detin e Zi, me anë të detit Marmara.
Ngushtica është vetëm gjysmë milje e gjerë në pikën më të ngushte dhe ka një thellësi maksimale prej 120 metra.
Top Channel